Musliu reagon ndaj LVV-së: Këta hala nuk e dinë çka është dhuna

Musliu reagon ndaj LVV-së: Këta hala nuk e dinë çka është dhuna

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, është përfshirë në përplasjen në mes të Mergim Lushtakut dhe Arbër Rexhajt të LVV’së, për një amandament të propozuar që ndërlidhet me furnizimin me ujë për Skenderajn.



Musliu i ka reaguar Rexhajt i cili i ka thënë Mergim Lushtakut të mos e ngrit zërin në Kuvend.

Musliu është kundërpërgjigjur duke cituar disa fjalë të hoxhës Shefqet Krasniqi.

“Tu e dëgju debatin, mu kujtu një herë e patën lodhë Shefqet Krasniqin, jo feja kshtu, jo feja ashtu, ju pat thanë mos më detyroni se vij e ua këndoj “Allahu Ekber” në foltore e s’keni cka me më bo. Edhe unë, këtyne deputetëve që po moralizojnë sot se, kta hala nuk e din çka është dhuna. Na e kemi përjetu dhunën në Kuvend, por kta deputet që po flasin nuk e dinë. Mos nxitni dhunë, mos provokoni”, ka thënë Musliu.

Ndryshe, deputeti i PDK-së, Mergim Lushtaku, reagoi ashpër në Kuvendin e Kosovës ndaj deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, meqë këta të fundit nuk e kanë përkrahur një amandament të Lushtakut që lidhet me një projekt për furnizimin me ujë në Skenderaj.

Lushtaku ka thënë se me një votim të tillë deputetët e VV’së e kanë treguar fytyrën e tyre të vërtetë dhe se janë kundër Drenicës.

“Fillimisht duhet të shpreh keqardhjen e madhe ndaj këtij votimit që po tregon që partia Vetëvendosje e ka ende një hatër mbetje për shkak të votave që s’ja ka dhënë as në qendrore as në lokale. Është për turp, dhe ju po e tregoni fytyrën e vërtetë, që jeni kundër Drenicës. Në kohën më të vështirë, edhe aparati serb në krye me Millosheviqin, kanë dasht me na e ndalë ajrin dhe jetën, po skan mujt”, është shprehur Lushtaku.

Kurse, deputetët e Kuvendit të premten (sot), po votojnë një nga një 83 amandamentet e projektbuxhetit për vitin 2022./Gazeta Enigma/

Related Articles