Kryetari i Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, Shaban Kajtazi, ka bërë kërkesë me shkrim për takim me kryeministrin Albin Kurti dhe ministrin e Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati.
Kajtazi në një intervistë për Ekonomia Online, ka sqaruar se kanë kërkuar takim urgjent me të dy pas vendimit të Qeverisë për mosvazhdimin e dhënies së shtesave për këtë kategori.
Madje, Kajtazi këtë vendim të Qeverisë e ka quajtur të papritur. Sipas tij, që më shumë se 20 vjet ata janë anashkaluar dhe nënçmuar nga institucionet.
Sipas tij, nëse vazhdohet ky trend nuk u mbetet gjë tjetër vetëm të marrim masa për grevë dhe protesta.
“Ky vendim ka qenë i papritur për faktin se në Kosovë janë 180 mijë pensionistë prej tyre janë 140 mijë pensionistë bazik që marrin pension social. Kështu që ky vendim ka ndikuar shumë në disponimin e tyre edhe ata mbesin të zhgënjyer me këtë vendim. Ndoshta qeveria ka menduar që për një kohë të gjatë me ngrit ne 10 euro. 10 euro nuk është kurrfarë vlere te pensionistët bazik për shkak se i kanë 90 euro shtohet edhe 10 euro ajo nuk është bazë për jetën e tyre”.
“Pra vendimi ka qenë pak i papritur. Unë kam kërkuar kontakt sa më të shpejtë me kryeministrin dhe ministrinë e Financave dhe Transfereve që të na dhënë përgjigje dhe ne do t’i përgjigjemi se ky vendim është i papranueshëm, zhgënjyes dhe nuk ka bo zgjedhje të pensionistëve veçmas atyre bazik. Ne kemi dërguar edhe shkresë me shkrim, por presim që nuk do të injorohen pensionistët sepse për 22 vjet janë të anashkaluar dhe të nënçmuar”.
“Tash pensionistët janë harruar dhe nuk bëjnë mirë kjo qeveri mi lanë pensionistët në këtë gjendje. Ne ju kemi ik protestave por kemi ardhur në një pozicion se ata nuk janë duke na kuptuar. Nëse vazhdohet ky trend ndaj kujdesit të pensionistëve nuk na mbetet gjë tjetër vetëm të marrim masa deri te protesta dhe greva”, shtoi Kajtazi.
Ai tha se Pensionistët janë në gjendje të vështirë materiale dhe psikike.
“Pensionistët janë në gjendje të vështirë edhe materiale dhe psikike. Ata kanë sëmundje përdorin barna dhe nuk kanë mjete sa duhet për t’i blerë, sidomos tash në kushte të pandemisë sepse 90 euro nuk ju dalin kurgjo”, tha ai.