Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do ta ftojë në interpelancë ministrin e Financave, Hekuran Murati për të dhënë llogari, për siç ka thënë, uljen e shtesave për pensionistët.
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se Qeveria Kurti, i bëri një padrejtësi të madhe pensionistëve, të cilët siç tha, janë kategoria shoqërore që rrezikohen më së shumti nga Covid-19.
‘Javën e kaluar ishim dëshmitarë të një padrejtësie që iu bë pensionistëve nga Qeveria e Kosovës. Nuk mjaftoi paaftësia për t’i siguruar vaksinat për ta, ku kjo kategori shoqërore janë kategoria më e rrezikuar nga Covid-19. Për ta rënduar edhe më tej gjendjen e tyre, tani edhe në aspektin financiar përveç atij shëndetësor, kjo qeveri paturpësisht vendosi që t’i ulë shtesat e pensioneve për ta për 1/3 nga shtesa e merituar nga qeveria e kaluar. Ky vendim e dëmton tej mase gjendjen e pensionistëve, që njihet si kategoria me gjendjen më të rëndë sociale’, u shpreh Tahiri.
Tahiri ka thënë se përveç që është jonjerëzore, është mashtrim që të marrësh vota me premtime për rritje të pensioneve, e t’i ulësh ato që në ditët e para të qeverisjes, transmeton Koha.