Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim ambasadorin e Japonisë në Austri, Mizutani Akira, i cili është i akredituar si ambasador jorezident i Japonisë në Kosovë.
Kryeministri Kurti e ka falënderuar ambasadorin japonez për hapjen e Ambasadës së Japonisë në Kosovë, e cila po ndikon në thellimin e bashkëpunimit ndërshtetëror.
Duke vënë në pah rëndësinë e zgjerimit të marrëdhënieve bilaterale, kryeministri Kurti ka theksuar se duan të kenë prezencë më të madhe të investitorëve japonezë në Kosovë në fushën e infrastrukturës, në energjinë e ripërtëritshme dhe në teknologjinë hekurudhore.
“Në kuadër të kësaj, Kosova është e interesuar që të marrë pjesë në OSAKA EXPO 2025”, ka thënë ai.
Ambasadori Mizutani i ka dorëzuar kryeministrit Kurti një letër nga kryeministri i ri i Japonisë, Fumio Kishida, në përgjigje të letrës së urimit që kryeministri Kurti i pati dërguar atij me rastin e marrjes së detyrës. Ai i ka shprehur gatishmërinë e Japonisë për të bashkëpunuar edhe më tej në fusha me interes reciprok, thuhet në një komunikatë për media të Zyrës së Kryeministrit. /Gazeta Enigma/.