Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, nisi të enjten vizitën dyditore në Kosovë.
Gjatë deklarimit të përbashkët me homologen e tij, Vjosa Osmani – Sadriu, presidenti kroat ka folur për bashkëpunimnin bilateral Prishtinë-Zagreb në shumë fusha – në atë të mbrojtjes, ekonomisë dhe politikës së jashtme.
Sa i përket bashkëpunimit ushtarak, Milanoviq tha se nuk bëhet fjalë për pajisjen me armatim të Kosovës, por bëhet fjalë për bashkëpunim më ndryshe. Kjo për shkak se, sipas tij, Prishtina zyrtare ka disa kufizime sa i përket armatimit.
Nga ana e saj, Osmani ka thënë që aleanca Kosovë – Kroaci po bëhet çdo ditë e më e fuqishme, përderisa edhe njëherë ajo është shprehur kundër nismës “Ballkani i hapur”.
Sipas Osmanit, pa pranimin e realitetit të Kosovës së pavarur nga Serbia, nuk mund të ketë bashkëpunim rajonal, siç është rasti i kësaj nisme.
Osmani ka folur për herë të parë rreth pretendimit të ish-ministrit të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, i cili pretendon që një shtet e ka njohur Kosovën, por që autoritet kosovare nuk po kontaktojnë me zyrtarët e shtetit në fjalë, njofton Klan Kosova, përcjell Gazeta Enigma.
Ajo theksoi se edhe për rastin e Pacollit, por edhe për të gjitha rastet e tjera që potencialisht mund ta njohin Kosovën, ajo njoftohet nga MPJ-ja.
Osmani ka shtuar se duhet kujdes i veçantë që të mos prishet procesi i sigurimit të njohjeve, nga deklarata jo të duhura.
Derisa premtoi se do të ketë njohje të reja, Osmani i akuzoi qeveritë e kaluara për dëme që i kanë shkaktuar politikës së jashtme.
“Do të duhet shumë kohë për t’i riparuar këto dëme dhe për ta vendosur procesin në binarë”, ka thënë Osmani./Gazeta Enigma/
Videon mund ta shikoni këtu.