Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja u shpreh se kriza energjetike me të cilën po kalon vendi ka ardhur si rezultat i mungesës së vizionit afatgjatë për strategjinë për energji.
Derisa u shpreh se mbështesin qeverinë në masat që ka ndërmarrë për tejkalimin e kësaj situate, Muja theksoi se ditëve të fundit vërehet stabilizim i çmimit të energjisë dhe furnizimit me energji.
“Kjo gjendje që po kalon vendi është rezultat i mungesës së vizionit afatgjatë dhe strategjisë për energjinë në të njëjtën kohë dhe dështimi i Kosovës dhe akterëve institucional për të miratuar plane afatgjate për bilance në energji. Situata energjetike në vend është përkeqësuar në saje të rënies së kapacitet gjenerues të njërit nga blloqet e Kosovës ‘B’ dhe vështirësive për të blerë energji nga importi e cila duket që gjatë dhjetorit është dhjetëfishuar në çmim”.
“Ne dëshirojmë të nënvizojmë edhe të mbështesim masat e marra nga Qeveria Kurti për të siguruar dhe parandaluar shtrenjtimin e energjisë elektrike gjatë verës deri në nëntor dhe njëkohësisht mbështesim përpjekjet për rikthim të bllokut ‘B2’ sa më shpejt që është e mundur. Ka shenja që ditëve të fundit është duke u stabilizuar edhe çmimi i importit dhe furnizimi, por është evidente që për shkak të vështirësive teknike në rrjetin e shpërndarjes ka ende qytete ose lokalitete që kanë vështirësi në qasjen e energjisë elektrike”, theksoi ai. /Gazeta Enigma/.