Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, bashkë me kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, kanë rastisur edhe këtë të hënë në vizitë te familja e Kadri Veselit, pak çaste para arritjes së tij nga Haga.
Njëjtë si sot, para shtatë muajsh, Ahmeti dhe Xhaferi ishin për ngushëllime te familja e Veselit për vdekjen e babait, Fazliut, pak para se ish-kreu i UÇK-së të arrinte në shtëpinë e tij në Mitrovicë me “leje humanitare” nga Specialja.
Edhe këtë herë dy politikanët e Maqedonisë së Veriut duket se i ‘paraprijnë’ ardhjes së Kadri Veselit nga Haga, ku qëndron si i paraburgosur i Gjykatës Speciale.
Ahmeti dhe Xhaferi kur erdhën në të pame për nënën e Veselit, që vdiq të premten e 7 janarit, qëlluan të jenë bash në ditën kur Kadri Veselit iu lejua të vinte në Kosovë.
Ahmeti, gjatë vizitës në familjen Veseli në “Bair” të Mitrovicës, e konfirmoi se nuk ka ditur asgjë për vizitën e ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli.
“Jo nuk kam informacione të tilla. Nëse Kadri Veselit i jepet mundësia të jetë pranë familjes, ky është një veprim i mirë dhe nëse është e vërtetë, kjo na gëzon, që ai do të ndajë dhimbjen bashkë me familjen”.
Njëlloj kishte deklaruar edhe në korrik të 2020-shit.
“Ia vlen të vizitohet familja Veseli që t’u ndodhemi afër sado pak në këto situata të vështira. Të ndjerin duhet ta kujtojmë për punën dhe kontributin që ka dhënë për çështjen, për shqiptarinë”, kishte thënë Ahmeti./Gazeta Enigma/