Kuvendi e miratoi rezolutën kundër organizimit të referendumit serb në Kosovë me 76 vota për, asnjë kundër dhe një abstenim, raporton Gazeta ‘Enigma’.
Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj ka qenë ai i cili abstenoi në votimin e kësaj rezolute.
E lidhur me abstenimin e tij, Selmanaj tregoi arsyet e tij, në votimin e Rezolutës për referendumin serb.
“Sot vendosa të abstenoj në votimin e Rezolutës së propozuar nga Albin Kurti, në seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga ai.Ishin tri arsye që motivuan abstenimin tim. Arsyeja e parë:Seanca e jashtëzakonshme ishte e panevojshme, e pakuptimtë dhe pa fije substance. Asnjëherë nuk ka nevojë që Kuvendi të mblidhet për t’ia kujtuar dhe rikujtuar detyrat kushtetuese që kanë institucionet tjera”, ka shkruar Selmanaj në profilin e tij në Facebook.
“Detyrat kushtetuese për Kryeministrin, Presidentin dhe Kuvendin janë të shkruara dhe të përcaktuara me Kushtetutë, ato duhet zbatohen me detyrim nga të gjithë, pa pasur nevojë për rikujtim ndaj njëri tjetrit. Arsyeja e dytë: Kisha bindjen që kjo seancë ishte thirrur nga Albin Kurti për ta shpërnda një pjesë të përgjegjësisë vendimmarrëse nga pazotësia e tij për të marrë vendime në zbatim të detyrimeve kushtetuese”, vazhdoi tutje Selmanaj.
Ndërsa ai tha se marrëdhëniet e mira me aleatët duhet të ruhen si sytë e ballit.
“Mungesa e integritetit të tij për të marrë vendime, futi në cirkun e tij krejt në mënyrë të pakuptimtë Kuvendin e Republikës së Kosovës.Arsyeja e tretë: Mënyra e menaxhimit të kësaj situate në relacion me partnerët tanë strategjikë me theks të veçantë me SHBA-të. Është hera e parë në historinë e re të Kosovës, që të gjitha vendet e QUINT-it të dalin kundër nesh.
Kjo tregon që Albin Kurti me njerëzit e tij ka cenuar rëndë komunikimin dhe bashkëpunimin me ta. Pasojat e këtij mos bashkëpunimi do i shohim në ditët dhe muajt në vijim. Kam bindjen që ky është vetëm fillimi.Në fund dua të shpreh qëndrimin që sovraniteti dhe integriteti i Kosovës duhet të mbrohen me çdo kusht nga të gjithë ne. Detyrimet kushtetuese dhe ligjore duhet të zbatohen pa asnjē mëdyshje.Marrëdhëniet e mira me aleatët tanë duhet të ruhen si sytë e ballit”.
Kujtojmë se Kuvendi i Kosovës ka miratuar të shtunën rezolutën kundër organizimit të referendumit serb në Kosovë.
Për miratimin e kësaj rezolute kanë qenë 76 vota për, asnjë kundër dhe një abstenim.
Kjo rezolutë përmban gjithsej 8 pika.
Ndryshe, referendumi për ndryshimet e Kushtetutës së Serbisë do të mbahet nesër, më 16 janar./Gazeta Enigma/