Pesë persona mbetën të lënduar në një aksident që dyshohet të jetë shkaktuar nga policia në Shupkovc të Mitrovicës.
Zyrtarët policorë kanë hyrë në kah të kundërt në rrugën që është njëkahore dhe i dedikohet kyçjes në magjistralen Mitrovicë-Prishtinë.
Shkak për këtë veprim, jozyrtarisht, Klani mëson se ishin dy vajza që ishin në automjetin e policisë.
Sipas burimeve të televizionit, ato në orët e hershme të mëngjesit kishin shkuar në Spitalin e Mitrovicës në gjendje të dehur, ku nga emergjenca i kanë udhëzuar për në repartin psikiatrik në QKUK, ku edhe i kanë dërguar me autoambulancë.
Në Prishtinë ato nuk i kanë pranuar dhe me automjetin e policisë kanë nisur të kthehen për në Mitrovicë, ku në hyrje, njëra nga to është shtirur se ka vdekur, gjë që ka bërë që policët të hyjnë në rrugë një kahore për të arritur më shpejt në spital.
Sipas mjekëve, gjendja e të lënduarve është e mirë, dhe katër nga ta kanë marrë lëndime të lehta, teksa njëra nga vajzat ka qenë më rëndë dhe është dërguar në QKUK, pasi ka refuzuar të trajtohet në Mitrovicë.
Nga policia nuk dhanë shumë detaje për rastin, por konfirmuan se i njëjti po hetohet nga njësiti i trafikut rajonal./Gazeta Enigma/