Deputetja e LDK-së në Kuvendin e Kosovës, Hykmete Bajrami kritikon Qeverinë për krizën energjetike në vend.
Bajrami thotë se Qeveria është vonuar në lidhje me krizën energjetike.
“Paralajmërimet për krizë janë bërë qysh në muajin korrik të vitit të kaluar. Qeveria u vonua gjashtë muaj. Po të kontraktonte qeveria rrymën siç kanë bërë shumë shtete evropiane, gjendja do të ishte më e mirë. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë marrë masa rreth tre muaj para nesh dhe sot e kanë më të mirë gjendjen energjetike”, tha ajo në RTV Dukagjin.
Deputetja e LDK-së thotë se Qeveria ka luajtur rolin e spektatorit sa i përket krizës energjetike. Tutje, Bajrami thotë se edhe subvencionimi do të bëhet në mënyrë shumë diskriminuese.
“Shtresa e mesme po goditet më së shumti, pasi nga 7 cent ata do të paguajnë 14 cent për kwh”.
Deputetja opozitare thotë se qytetarëve duhet t’iu jepet kohë sa i përket ngritjes së çmimeve.
Ajo thotë se konsumatorët kanë nevojë të riorganizojnë mjetet e tyre të ngrohjes dhe kjo kërkon kohë. Bajrami thotë se nëse duhet të ngrihet çmimi i rrymës, ai do të duhej bërë në pranverë.
“Ne si LDK do të propozojmë heqjen e TVSH-së për energji elektrike, që sadopak do ta lehtësonte barrën e qytetarëve”, deklaroi Bajrami.