Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka dhënë përgjigje ndaj mocioneve paraprake në lidhje me Raportin e Këshillit të Evropës, për afatin e hetimit të ZPS dhe mandatin e përkohshëm të Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Sipas ZPS-së, argumentet e mbrojtjes së Hashim Thaçit se Dhomat e Specializuara kishin një mandat pesë-vjeçar, me skadim në gusht të vitit 2020, injorojnë deklaratat e qarta të Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese, të cilat janë autoritare në këtë çështje.
“Siç është gjetur shprehimisht nga Dhoma e Specializuar të Gjykatës Kushtetuese, mandati i Dhomave të Specializuara nuk është i kufizuar në pesë vjet. Mandati vazhdon derisa Këshilli i Bashkimit Evropian të njoftojë Kosovën për përfundimin e tij”, thuhet në këtë shkresë.
Sipas ZPS-së, akuzat në aktakuzë kanë të bëjnë me Raportin e Këshillit të Evropës dhe janë brenda juridiksionit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, transmeton “Betimi për Drejtësi”.
Tutje, thuhet se argumentet e kundërta shpërfillin gjuhën e thjeshtë të ligjit dhe paraqesin ndryshe raportin e Këshillit të Evropës, andaj ato duhet të refuzohen.
ZPS ka konsideruar se parashtresat e mbrojtjes së Thaçit, në lidhje me periudhën e lejuar për kryerjen e hetimeve penale dhe mandatin e përkohshëm të Dhomave të Specializuara dhe ZPS-së janë pa meritë dhe mbështeten në dispozita ligjore të pazbatuara, si dhe injorojnë deklaratat e Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese.
Sipas ZPS-së, Dhomat e Specializuara kanë juridiksion mbi të gjitha akuzat në aktakuzë dhe kërkesat e mbrojtjes duhet të refuzohen plotësisht.
Tutje, ZPS ka konsideruar se krimet për të cilat akuzohen të akuzuarit kanë të bëjnë me raportin e Këshillit të Evropës.