Dëshmitari H.K ka deklaruar se i akuzuari L.B ia kishte dhënë atij një qese të vogël, e cila më vonë sipas zyrtarëve policorë ka rezultuar të jetë heroinë.
Këtë deklaratë, dëshmitari e ka dhënë të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, në rastin ku i akuzuari L.b po akuzohet për shitje të heroinës, raporton “Betimi për Drejtësi”, përcjell Gazeta Enigma.
Pas dhënies së fjalëve hyrëse, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Ali Uka, dëshmitari tha se njeh të akuzuarin.
Tutje dëshmitari tha se e njeh edhe personin me emrin N.I.
“Po, ai merret me drogë”, tha dëshmitari.
Ai tha se ditën kritike kishte qenë në Rogovë të Gjakovës, pasi që N.I, e kishte paguar që të shkonte të merrte diçka.
“Më ka dërgu N. në Rogovë, shkaku me marrë diçka në Rogovë por çka nuk e di dhe m’i ka dhënë disa para, ndërsa mu m’i ka dhënë 10 euro për këtë shërbim. Kam pas me i dhanë 80 euro”, tha dëshmitari.
Tutje, dëshmitari tha se të akuzuarin e ka takuar në rrugë ku edhe ia kishte dhënë paratë dhe ai kishte marrë një qese.
“I thashë më ka dërgu N. me t’i dhanë këto para dhe diçka tjetër me më dhanë, dhe ia kam dhanë të paratë masandej ma ka dhanë një qese të vogël, nuk e kam ditë se çka ka qenë, por kur më kanë zënë Policia më kanë njoftuar se ka qenë heroinë e kuqe”, tha dëshmitari.
Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Ndrecë Dodaj, e pyeti të akuzuarin se sipas tij sa ka zgjatur prej momentit kur është kthyer nga shtëpia e të akuzuarit e deri tek Stacioni Policor, e dëshmitari tha se ishte diku 15 minuta.
Ndërsa, i pyetur se ku e kishte pasur narkotikun, dëshmitari tha se e kishte në siguresa tek ‘hauba’.
Më pas, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Drilon Haraçia, e pyeti dëshmitarin se meqenëse ka deklaruar se nuk e ka ditur se çfarë ka në qese, pse e ka vendosur në siguresa.
Lidhur me këtë, dëshmitari tha se e ka kuptuar më vonë, mirëpo se ka qenë send i vogël e ka fshehur në siguresë.
Pas dëgjimit të këtij dëshmitari, prokurori Ali Uka ka propozuar që në cilësi të dëshmitarit të ftohet N.I.
Këtë propozim nuk e ka kundërshtuar as avokati Dodaj, ndërs seanca e radhës u caktua që të mbahet më 24 shkurt 2022.
Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë thuhet se më 10 janar 2020, i akuzuari L.B i ka shitur substancë narkotike, heroinë dhe atë personit H.K.
Sipas aktakuzës, në ditën kritike, H. shkon tek shtëpia e të akuzuarit në fshatin Rogovë të Gjakovës dhe prej tij blen narkotik të llojit heroinë, të përzier me paracetamol dhe kafeinë për shumën prej 80 eurosh dhe krejt këtë në bazë të raportit të ekzaminimit të kryer nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë.
Për këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” nga neni 267, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër kjo që dënohet me gjobë dhe me burgim prej 2 deri në 8 vjet.
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.