Kuvendi i Kosovës dje ka mbajtur seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar në lidhje me masat antiCOVID, të cilat Qeveria e Kosovës i ka ndërmarrë ditë më parë.
Këto masa opozita i ka kundërshtuar dhe si rrjedhojë e kësaj ka bërë thirrje për seancë të jashtëzakonshme. Partitë opozitare, e kundërshtuan masën e vendosur për posedim të dokumentit me dozë të tretë antiCOVID, si dhe e kritikuan Qeverinë për keqmenaxhim të pandemisë.
Nuk miratohen rekomandimet e opozitës për rishqyrtim të masave anti-COVID
Kundër këtyre rekomandimeve u shprehën 41 deputetë, ndërsa pro vetëm 22.
Në përfundim të seancës së jashtëzakonshme për pandeminë, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, paraqiti gjashtë rekomandime para deputetëve për miratim.
“Në emër të tri grupeve opozitare ne paraqesim një rezolutë e cila përkufizohet: Qeveria me urgjencë të rishqyrtojë masat kufizuese pas konsultimit me ekspertët shëndetësor dhe nivelin lokal të ketë masa konform situatës pandemike. Të hartojë në kohë vendosjen në kohë të masave kufizuese, larg masave që merren në panik dhe që prodhojnë vetëm situatë paniku. Qeveria të prezantojë planin para Kuvendit për vaksinimin për vitin 2022. Qeveria të sigurojë vaksina masive mobile në shkolla, institucione publike dhe private me qëllim të gjurmimit dhe monitorimi të rasteve me COVID″.
Të njëjtat i quajti të papranueshme, ushtruesja e detyrës së shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje Mimoza Kusari-Lila.
“Ky debat synohet të devijohet me rezolutë që përbënë çdo gjë. Në rezolutën e propozuar kërkohet që të sillet ligji i pagave që më herët është refuzuar në një seancë të Kuvendit. GP i LVV një rezolutë që përbënë tema që nuk lidhen për çka është thirrur seanca nuk mund t’i mbështesë dhe do të votojmë kundër saj”, tha ajo.
Kurti: Masat nuk kanë pikur nga qielli
Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka njoftuara para deputetëve të Kuvendit të Kosovës se varianti Omicron po përhapet më lehtë se variantet tjera dhe se një person i infektuar me Omicron po infekton mesatarisht katër të tjerë.
Kurti më tej para deputetëve të Kuvendit tha se një person po infekton të tjerët vetëm dy ditë pasi është infektuar vet.
Kreu i ekzekutivit të vendit i është përgjigjur edhe kritikave të opozitës për masat e fundit antiCOVID.
“Masat antiCOVID nuk kanë rënë nga qielli, por rezultat i një procesi të kujdesshëm…ne jemi një qeveri që nuk merr vendime shkel e shko e për përfitime politike, por qeveri që është e gatshme edhe për vendime të vështira por për të mirën e qytetarëve”, tha ai.
“Nuk kam detyrë më parësore se të mbroj shëndetin e qytetarëve tanë me të gjitha mjetet që qeveria i ka në dispozicion. Jeta dhe shëndeti i qytetarëve e kanë fjalën e parë dhe të fundit të vendimeve tona.
Jemi të vetëdijshëm për pasojat masat kufizuese mund të shkaktojnë në jetën ekonomike, kulturore e shoqërore të vendit”, tha ai.
Kurti më tej kërkoi nga qytetarët që të mos e neglizhojnë Omicronin, por të vaksinohen edhe me dozë përforcuese.
Ai tha se nga korriku i vitit 2021 deri në 25 janar 2022, 74 për qind e të infektuarve kanë të pavaksinuar dhe mbi 80 për qind e rasteve të vdekjeve kanë qenë të pavaksinuar.
Latifi: Masat antiCOVID vendosen konform situatës me pandeminë
Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit ë Kosovës lidhur me situatën me pandeminë tha se të gjitha vendimet për masat vijnë pas diskutimeve me ekspertë shëndetësorë.
Latifi theksoi se kanë vendosur kufizime në sektorë të caktuar që janë me rrezik të lartë dhe po presin të shohin si zhvillohet situata në spitale.
“Natyrisht se çdo ditë e vlerësojmë këtë dhe do t’i marrim masat konform këtyre zhvillimeve. COVID-i është gjithë andej”, tha ministri.
Sipas tij, ajo që e dallon Kosovën nga vendet tjera është numri i madh i testeve, vendi i dytë në rajon pas Sllovenisë.
Ministri i Shëndetësisë po ashtu tha se sipas trendit aktual shihet se Kosova ka shumë më pak raste të vdekjes se vendet tjera.
“Mesatarja javore deri më tash 0.5 raste në 1 milion banorë me vdekje”, tha ai.
Ndryshe, masat e reja kufizuese kundër COVID kanë hyrë në fuqi më 22 janar dhe do të jenë në fuqi deri më 4 shkurt.
Ndërsa, një ditë më parë në vend u shënuan gjashtë raste të vdekjes nga virusi dhe tre mijë e 917 raste të reja pozitive, ndërsa edhe në Kuvendin e Kosovës u diskutua situata me pandeminë COVID.
Aktualisht, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, referuar të dhënave nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës në total numri i rasteve aktive me coronavirus është 28 mijë e 751. /Gazeta Enigma/.