Trajneri më i mirë në botë i xhudos, Driton Kuka ka reaguar nga vlerësimi që e ka bërë të premtën Komiteti Olimpik i Kosovës.
Në kategorizimin e sporteve në Kosovë, xhudo e ka zënë vendin e parë në Kategorinë A me 83.35 pikë.
Pavarësisht se atij i ka pëlqyer vendi i parë në këtë kategorizim, ai duket se nuk është kënaqur shumë nga vlerësimi i KOK-ut.
“Xhudo Sporti nr 1 në Kosovë! Por … Me pikët e grumbulluara sivjet xhudo më pak pikë se vitin e kaluar! Po edhe keni të drejtë se dy medalje të Arta Olimpike s’mjaftojnë m’u rrit numri i pikëve! Kritere të stërvjetëruara të Kategorizimit, e xhudos keni pas drejtë me ja ul pikët!”, ka shkruar trajneri pejan në një postim në Facebook.
Në fakt, Bordi i KOK-ut i ka ka rekomanduar Ministrisë së Sportit 100 pikë për xhudon në kategorizim.
Gjashtë federata kanë hyrë në kategorinë A. Bëhet fjalë për xhudon, volejbollin, karatenë, hendbollin, basketbollin dhe futbollin.
Xhudo është rekomanduar nga Bordi Ekzekutiv i KOK-ut për t’u vlerësuar me maksimumin e pikëve (100).
Në kategorinë B hyjnë nëntë federata, që përfshijnë boksin, mundjen, sportin shkollor, atletikën, skitarinë, pingpongun, notin, gjimnastikën dhe tenisin.
16 federata ndodhen në kategorinë C, ndërsa shtatë në kategorinë D.