Në Mitrovicën Veriore janë duke u prodhuar kriptovalutat në mënyrë ilegale dhe energjia elektrike po shpenzohet për këtë qëllim.
Qeveria e Kosovës tash e 21 vite nuk ka arritur të shtrijë kontrollin në këtë pjesë dhe si pasojë faturat e energjisë elektrike nuk paguhen nga komuniteti serb.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli në Komisionin për Ekonomi ka deklaruar se aktivitet ilegale dyshohet të kenë ndikuar në rritjen e konsumit të energjisë elektrike.
Ajo ka deklaruar se Qeveria e Kosovës ka trashëguar një buxhet të cilin nuk e ka krijuar dhe se nuk është paraparë që të mbulohen këto shpenzime nga buxheti i shtetit.
Por thotë se Ministria e Financave është duke tentuar të gjej një zgjidhje për të ndihmuar Operatorin e Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës-KOSTT sa i përket pagesës.
“Ka indikacione që rritja e konsumit është si pasojë e aktiviteteve biznesore jo legale ku përmenden edhe kriptovalutat. Jemi informuar që ka një anomali në konsum të energjisë elektrike derisa në pjesën tjetër të vendit bie konsumi sepse njerëzit janë duke fjet dhe ka më pak aktivitet ekonomik dhe shtëpiak. Kurse në Veri nuk kemi ulje në masë të tillë sikur në pjesën tjetër të vitit” ka thënë ajo.
Rizvanolli ka deklaruar se ata janë duke përgatitur një plan e cila ka për qëllim gjetjen e një zgjidhje afatgjate ku qytetarët do të trajtohen të barabartë dhe energjia elektrike të faturohet.
“Jemi ulur me të gjitha institucionet kosovare dhe është e rëndësishme që para se të riaktivizojmë grupin punues që përfshin KEDS-in si kompani edhe USAID-in dhe akterët e tjerë. E rëndësishme që ne si palë kosovare të kemi një propozim të qartë për hapat e ardhshëm” ka shtuar ajo.