Qeveria e Kosovës reagon në lidhje me arrestimin e kameramanit në Suharekë

Qeveria e Kosovës reagon në lidhje me arrestimin e kameramanit në Suharekë

Qeveria e Kosovës ka reaguar në lidhje me arrestimin e kameramanit në Suharekë gjatë të enjtës.

Në lidhje me këtë arrestim, nga Qeveria e Kosovës kanë thënë se angazhohen për krijimin e një ambienti më të favorshëm dhe të sigurt për punën e medieve.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu përmes një postimi në Facebook ka thënë se  institucionet e rendit dhe ligjit e kanë përgjegjësi të bëjnë punën në mënyrë profesionale dhe brenda kornizave ligjore, duke respektuar të drejtat e secilit e duke mbrojtur secilin nga padrejtësitë.

“Ato duhet të synojnë gjithmonë mirëkuptim për punën e punonjësve të medieve dhe t’ju mundësojnë hapësirë për raportim nga ngjarjet publike dhe me interes publik. Pas rastit të sotëm me kameramanin e agjencisë së lajmeve EO, Ministri i Punëve të Brendshme menjëherë ka kërkuar nga Inspektoriati Policor i Kosovës të fillojë hetimet për rastin. Policia e Kosovës është ndër institucionet me besueshmërinë më të lartë tek qytetarët falë punës dhe angazhimit profesional të tyre që dëshmohet çdo ditë”, shkruan Kryeziu.

Në fund ai thotë se liria e medies është vlerë themelore e demokracisë, dhe Qeveria e Republikës së Kosovës angazhohet për krijimin e një ambienti sa më të favorshëm dhe më të sigurt për punën e tyre.

Agjencia Kosovare e Privatizimit nën asistimin e Policisë së Kosovës kanë shkuar në zyrat e Ndërmarrjes “AgroKosova Holding”, me ç’rast kanë marrë nën administrim këtë ndërmarrje, ku gjatë kësaj periudhe është arrestuar kameramani i agjencisë së lajmeve, Ekonomia Online, Albion Selitaj, në kohën që ai po bënte detyrën e tij. /Gazeta Enigma/

Related Articles