Ambasada amerikane në Kosovë do t’iu bashkëngjitet iniciativës së ndaljes së dritave nga ora tetë e mbrëmjes së të martës, në shenjë të të pagjeturve nga lufta në Kosovë. Kjo po shënohet në Ditën Kombëtare të Personave të Pagjetur.
Për këtë veprim ambasada amerikane ka shkruar në rrjetin e tyre social, Twitter.
“Në ora 8:00 pasdite, do t’i bashkohemi qindra kosovarëve duke fikur dritat për 5 minuta. Ky është një formë demonstrimi i solidaritetit tonë me familjet që 20 vjet më vonë ende nuk kanë përgjigje dhe meritojnë të dijnë për fatin e të dashurve të tyre”, thuhet në postimin e ambasadës.
Iniciativa, e krijuar përmes një eventi në ‘Facebook’ nga Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut dhe organizata të tjera, ka marrë mbështetjen e më se 600 personave.
“Për të shënuar Ditën Kombëtare të Personave të Pagjetur, më 27 prill në ora 20:00, ftojmë të gjithë qytetarë/et e Kosovës t’i ndalin dritat nëpër shtëpitë apo banesat e tyre për 5 minuta”, thuhet në përshkrimin e eventit.
“Duke kaluar 5 minuta në errësirë do të mund të bashkëndjejmë sado pak me dhimbjen dhe terrin në të cilin ndodhen familjarët e 1,639 personave të pagjetur tash e 21 vite. Ndalja e dritave, tashmë është shndërruar në aksion tradicional, me anë të së cilit çdo vit, në të njejtën ditë, në të njejtën kohë, bashkë do të kemi mundësi ti kujtojmë personat e pagjetur”, shkruhet ndër të tjera.