Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka komentuar “non-paper”-in e fundit, duke thënë se çdo gjë që është destabilizuese, burim ka shtetin e Serbisë.
Osmani përmes një postimi në Facebook, ka thënë se kjo është strategji e Serbisë, që një qasje e tillë të normalizohet dhe të bëhet pjesë e debatit.
“Kjo është strategji e vjetër e Serbisë, e përsëritur tani me qëllim që një qasje e tillë të normalizohet e të bëhet pjesë e debatit të përditshëm, e pastaj edhe e agjendës së dialogut, kërkesë kjo e rrezikshme dhe destabilizuese e saj, por dhe e Rusisë. Prandaj, të mos biem në kurthin e tillë. Të kemi besim në aleatët tanë, por mbi të gjitha të kemi besim në vetveten. “Non-papers”, të tillë lëre që refuzohen nga ana jonë, por as nuk do të mund t’i përcaktojnë veprimet tona e as mbarëvajtjen e dialogut”, ka shkruar Osmani.
Sipas saj, leximi i kujdesshëm i këtyre “non-papers” dhe ideve që prezantohen aty, siç janë ndryshimi i kufijve, krijimi i regjioneve autonome apo pushteteve të treta, tregon qartë se kush është hartuesi i vërtetë i këtyre dokumenteve.
“Sot është dita kur kujtojmë më të dashurit tanë fatin e të cilëve ende nuk e dijmë. Përderisa dhimbja jonë për ta vazhdon, përgjigjja rreth fatit të të zhdukurve me dhunë gjendet në Serbi. Asnjë ‘non-paper’, nuk mund t’i ndryshojë prioritetet e as kërkesat tona të drejta në raport me Serbinë: zbardhja e fatit të të zhdukurve, drejtësia si dhe reparacionet për dëmet e luftës”, ka shkruar Osmani.