Haxhiu akuzon dy ministrat paraprak për punësim të militantëve në MD

Haxhiu akuzon dy ministrat paraprak për punësim të militantëve në MD

Ministra e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka akuzuar dy ish-ministra të kësaj ministrie, Abelard Tahirin dhe Selim Selimin, për punësime partiake.

Ajo në Deskun e KTV-së ka thënë se nga marrja e detyrës ka parë se shumë nga stafi civil që janë punësuar aty më herët, janë militantë të një partie të caktuar.

“Faktori që kemi pa qytetarë teksa kanë mbushur valixhet dhe janë larguar nga Kosova, është pikërisht fakti se janë hapur konkurse në institucionet publike, por paraprakisht është ditur kush do të punësohet. Edhe në të kaluarën, edhe tash kur ka marrë detyrën, shumë prej stafit civil kanë qenë militantë që janë punësuar në kohën e ish-ministrit Tahiri, kanë qenë militantë partiakë, ose tash sa e ka lanë detyrën Selimi në divizione të ndjeshme brenda ministrisë janë caktuar militantë të partisë”, ka thënë ajo.

Punësimin e “militantëve partiakë”, siç i ka quajtur ajo, në pozita të rëndësishme brenda ministrisë, Haxhiu e sheh dobësi.

“Ajo çfarë kam parë në ministri, në disa funksione shumë të rëndësishme janë persona militantë partiakë. Kjo mund ta dobësojë MD sepse kur dikush shkon aty si militant partie siç ka ndodhë është se po krekoset me këtë dhe të mirët brenda MD-së nuk po kanë shumë kompetenca sepse nuk po dëgjohen”, ka thënë ministrja.

Haxhiu ka thënë se pavarësisht punësimeve si janë bërë, tash nuk ka kompetencë që t’i largojë, porse ka shtuar se u ka kërkuar të bashkëpunojnë.

“Ata që janë punësuar, ne nuk kemi asnjë kompetencë që t’i largojmë. Ajo që kam kërkuar prej stafit brenda MD-së është të bashkëpunojmë për çështjet që duhet t’i shtyjmë përpara. Për çështjet që i bëjnë në mënyrë të paligjshme, nuk do të më kenë pas, dhe do të jenë denoncuese”.

Related Articles