Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve S.H dhe A.M. shtetas të Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “grabitja”.
Gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, ka vlerësuar se “ekziston dyshimi i bazuar mirë, se të pandehurit më 13 shkurt 2022, pas mesnate, në një fshat të Komunës së Ferizajt, përkatësisht në një pompë të derivateve, me dashje dhe me përgatitje paraprake, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete, kanë kryer grabitje, në atë mënyrë që i pandehuri A.M së bashku me një të mitur presin në veturë ndërsa të pandehurit S.H dhe B.O, të maskuar, me përdorimin e mjeteve të rrezikshme, thikave dhe kanosjes serioze për ta sulmuar jetën apo trupin e të dëmtuarit A.A, depërtojnë në brendi të lokalit të pompës së derivateve, me ç’rast nga aty marrin arkën si dhe një sasi të parave në shumë prej rreth katërqind (400) euro, duke u larguar më pas në drejtim të panjohur me veturën e të pandehurit S.H”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaj.