I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka përsëritur qëndrimin e SHBA-së se dialogu Kosovë-Serbi duhet të përfundojë me njohje reciproke.
Në një deklarim para senatorëve amerikanë në Komitetin për Punë të Jashtme, Escobar ka thënë se dyja shtetet duhet të punojnë, si palë të barabarta, që nëpërmjet dialogut të heqin dallimet e të gjejnë marrëveshjen gjithëpërfshirëse.
“Nevoja për dialog, kompromise e reforma vlen për të gjithë rajonin. Ne e mbështesim fuqishëm dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian për të normalizuar raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë. Dialogu është forumi në të cilin të dyja palët, si të barabarta, duhet të punojnë për të zgjidhur dallimet dhe të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse, që u duhet të dyja shteteve për të ardhmen e tyre evropiane. Besojmë se kjo duhet të përqendrohet në njohje reciproke”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se në shumicën e vendeve të Ballkanit Perëndimor ka pasur përpjekje për forcim të demokracisë dhe luftim të korrupsionit. Ka veçuar Bosnjën e Hercegovinën si shtet që ka shënuar kthim prapa.
Escobar ka thënë se Shqipëria e Maqedonia e Veriut kanë bërë reforma e sakrifica të mëdha në përpjekjet e tyre për anëtarësim në BE. Ka thënë se të dyja e meritojnë avancimin tutje.
Duke folur për sanksionimin e të dyshuarve për lidhje me korrupsion në rajon, Escobar ka shtuar se SHBA-ja do të vazhdojë të kërkojë llogari nga ata që bllokojnë përparimin e rajonit.
Escobar ka shprehur shqetësimin për zgjerim të prezencës së Kinës dhe Rusisë në rajon.
Për fjalimin e Escobarit ka reaguar drejtori ekzekutiv i Ligës qytetare shqiptaro-amerikane, Faton Bislimi, që e ka cilësuar lajm të mirë për Kosovën pjesën e fjalimit kur Escobar theksoi se SHBA-ja përkrah dialogun me palë të barabarta e me përfundim me njohje reciproke./Gazeta Enigma/