Departamenti Amerikan i Shtetit e ka hedhur poshtë ofertën e presidentit rus Vladimir Putin për bisedime me Ukrainën si “diplomaci jo reale”.
Duke folur me gazetarët në Uashington të premten, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price tha se diplomacia nuk mund të zhvillohet “në tytën e armës”.
Që të zhvillohet diplomacia, veprimi ushtarak rus në Ukrainë duhet të ndalet dhe forcat ruse duhet të tërhiqen, tha ai, shkruan BBC.
Deri më tani, shtoi Price, SHBA-të nuk kishin parë asnjë tregues se Putini ishte i gatshëm të lejonte suksesin e diplomacisë.
Më herët të premten, Kremlini tha se Putini ishte “gati” për bisedime të nivelit të lartë me një delegacion ukrainas në Bjellorusi rreth adoptimit të “neutralitetit” dhe “çmilitarizimit” të vendit.