Federata e Futbollit e Kosovës së bashku me sponsorin e Superligës, Bankën Kombëtare Tregtare – BKT Kosova, vazhdojnë të ndajnë çmimin “Ylli i Javës” për lojtarin më të mirë të xhiros.
“Ylli i Javës” për xhiron e 22-të në BKT Superligë është shpallur futbollisti i KF Llapi, Valmir Veliu.
Sulmuesi anësor i llapjanëve ishte lojtari më i mirë i ndeshjes në fitoren bindëse që skuadra e tij e arriti në shtëpi ndaj Malishevës, me rezultat 3:0.
Ai shënoi dy gola në këtë ndeshje, duke qenë më i merituari për fitoren e 11-të të skuadrës së tij në këtë edicion.
Për Valmir Veliun kjo është hera e dytë në këtë edicion që shpallet “Ylli i Javës”, pasi këtë çmim e kishte fituar edhe në javën e 10-të, kur po ashtu kishte shënuar dy gola.
Fitorja e kësaj jave ia ka mundësuar K.F. Llapi që ta përforcojë pozitën e katërt në renditje në BKT Superligë me 39 pikë, duke e ruajtur hapin me skuadrat e kreut në garën për titull.
Çmimin “Ylli i Javës” për futbollistin e KF Llapi, Valmir Veliu, e ndau Ferat Klisurica, senior specialisht në BKT.