Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas kalimit të propozimit nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje për pagesën e energjisë elektrike për katër komunat veriore në Kosovë.
LDK ka thënë se Qeveria Kurti po ndërmerr të gjitha veprimet që i kishte kundërshtuar në të kaluarën.
“Reagim i LDK-së ndaj propozimit mbi pagesën e energjisë elektrike në veri të vendit Propozimi i sotëm i deputetëve të Vetëvendosjes në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti që KOSTT të mbulojë shpenzimet e energjisë elektrike për konsumatorët në veri të vendit tregon qartë që Qeveria Kurti po ndërmerr të gjitha veprimet që i kishte kundërshtuar në të kaluarën”, thuhet në komunikatën e LDK-së.
LDK ka thënë se Vetëvendosje sa ishte parti opozitare kishte kundërshtuar një veprim të tillë, porse, sipas tyre, tani që është në pushtet janë tjetërsuar në tërësi.
“Lëvizja Vetëvendosje, sa ishte parti opozitare, për disa vite rresht e me plot ngulm kishte kundërshtuar një veprim të tillë. Madje, në kohën tonë të përbashkët opozitare, kishim bashkëorganizuar interpelancë ndaj qeverisë së PAN-it; e cila kishte nisur këtë praktikë. Tani që është në pushtet, veprimet kundërshtuese të opozitës së dikurshme tani me pushtet absolut, duket se janë tjetërsuar në tërësi. Sërish, edhe një herë e për të satën herë në këtë fillim, premtimet e kauzat opozitare të tyre dalin të jenë mashtrim”, thuhet në komunikatën e LDK-së.
Më tej, LDK ka thënë se ky vazhdim pagese tregon se Qeveria nuk ka plan të qartë për dalje nga kjo situatë.