Pas vitit pandemik, Kroacia ka regjistruar 23 mijë vdekje më shumë sesa lindje ndërsa gjithashtu janë vërejtur 23% më pak martesa krahasuar me një vit më parë.
Gjatë prezantimit të projektit “Rrjeti 2050 – Demografia, nga sfida deri në përgjigje” të Federatës Botërore të Rinisë kroate (SSMH), udhëheqësi i projektit Ivan Majstoriq vuri në dukje se emigrimi i të rinjve dhe shpopullimi janë ndër problemet më të mëdha në Kroaci dhe se çështjet demografike nuk janë qasur në mënyrë sistematike, ndërsektoriale dhe shkencore.
“Pandemia ka pasur një ndikim negativ në trendet demografike, kështu që vitin e kaluar Kroacia regjistroi rënien më të madhe demografike në histori, me rreth 23% më pak martesa se një vit më parë.
Sipas parashikimeve të Kombeve të Bashkuara në vitin 2050, Kroacia do të ketë pothuajse 17 % më pak banorë nëse nuk ndryshojnë politikat publike”, paralajmëroi Majstoriq.
Njëherit, kreu i Departamentit të Demografisë dhe Emigracionit në Fakultetin e Studimeve në Universitetin e Zagrebit, Stjepan Shterc, theksoi se demografia në Kroaci, si një nga problemet kryesore kombëtare, u politizua në mënyrë të panevojshme dhe kështu u largua nga qasja shkencore.
“Nëse ky lloj emigracioni vazhdon dhe zvogëlohet aktiviteti i popullsisë aktive, deficiti i sistemit të pensioneve do të rritet dhe pyetja është nëse do të jetë e mundur që të mbulohet nga buxheti. Sipas OKB-së, Kroacia është ndër pesë popullatat më të vjetra në botë dhe në zonën ku janë rajonet demografike më të rrezikuara në botë”, shtoi Shterc.
Drejtoresha e Institutit për Migracionin dhe Studimet Etnike, Marina Periç Kaselj tha se nga hyrja e Kroacisë në Bashkimin Europian, sipas shifrave zyrtare, rreth 150 mijë persona kanë emigruar ndërsa shifrat jozyrtare, mediat dhe sondazhet tregojnë se janë rreth 300 mijë banorë.
Një nga arsyet kryesore për emigrimin e qytetarëve nga Kroacia, kryesisht në BE është rënia ekonomike për shumicën e vendeve anëtare, por edhe rrethanat socio-politike që nuk u sigurojnë të rinjve punësim dhe mundësi zhvillimi si dhe zgjidhjen e çështjes së strehimit.