A do ta aprovojë Amerika kërkesën e Kosovës për bazë të përhershme?

A do ta aprovojë Amerika kërkesën e Kosovës për bazë të përhershme?

Ministria e Mbrojtjes e Kosovës beson se mund të ketë një përgjigje pozitive nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndaj kërkesës për vendosjen e një baze të përhershme të forcave amerikane në Kosovë, thonë zyrtarët e kësaj ministrie. Disa nga njohësit e çështjeve të sigurisë e konsiderojnë të konsumuar këtë kërkesë.

Më, 27 shkurt, ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, përmes një shkrimi në rrjetet sociale, ka thënë se është koha për përsëritjen e kërkesës në adresë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, “për vendosjen e Bazës së Përhershme Ushtarake të Forcave Amerikane, si garanci e plotë e paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal dhe më gjerë”.

Në një përgjigje të shkruar për Radion Evropa e Lirë, koloneli Sefer Isufi, shef i Komunikimit Strategjik në Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës, thotë se “përsëritja e kërkesës është edhe rezultat i situatës së krijuar pas agresionit ushtarak të Rusisë mbi Ukrainën dhe refleksionit të kësaj situate edhe në rajonin tonë, duke pasur parasysh përvojën e keqe të provokimeve të Serbisë dhe qëndrimit të saj armiqësor ndaj Kosovës”.

Më 24 shkurt, forcat ushtarake të Federatës Ruse kanë nisur pushtimin e Ukrainës, gjë që po vazhdon ende.

Isufi: Presim përgjigje pozitive nga SHBA-ja

Kolonel Isufi thekson që kërkesa e ministrit të Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj, për vendosjen e një baze të përhershme ushtarake të SHBA-së në Kosovë, ishte adresuar edhe vitin e kaluar në Pentagon, në Departamentin e Shtetit dhe Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, gjatë vizitës zyrtare të ministrit Mehaj në SHBA.

“Kur është adresuar nga ministri Mehaj, është konsideruar dhe vlerësuar seriozisht nga autoritetet amerikane dhe besojmë se është në proces të trajtimit serioz. Përgjigje konkrete ende nuk kemi marrë, por besojmë se në rrethanat e krijuara dhe pas riadresimit nga ana e ministrit Mehaj, kemi shumë besim për një përgjigje pozitive nga autoritetet amerikane”, thotë kolonel Isufi.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Departamentit amerikan të Shtetit me pyetjet se a e kanë shqyrtuar kërkesën e ministrit të Mbrojtjes së Kosovës për një bazë të përhershme ushtarake amerikane në Kosovë dhe se a e konsiderojnë si të domosdoshme Shtetet e bashkuara një bazë të tillë. Por, Departamenti amerikan i Shtetit nuk u është përgjigjur këtyre pyetjeve deri në publikimin e këtij teksti.

Vrajolli: Rajoni i pasigurt, shkak për kërkesën e Kosovës

Mentor Vrajolli, drejtor ekzekutiv në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë, vlerëson se në dekadat e fundit është dëshmuar se prania amerikane në Ballkan ka qenë në funksion të krijimit të ambientit të paqes dhe sigurisë, në përgjithësi.

Ai shpreh mendimin që SHBA-ja, si aktor global i sigurisë, ka interes që të ketë shtrirje të gjerë për të kontribuar për sigurinë dhe bashkëpunimin rajonal. Por, sipas tij, interesi më i madh në këtë pikë është i Kosovës.

“Në përgjithësi, indikacionet janë që konfliktet që kanë ekzistuar në Kosovë dhe rajon gjatë viteve ’90, edhe më tutje nuk janë zgjidhur përfundimisht. Prandaj, arsyeja për një kërkesë të tillë (nga Kosova), është e lidhur edhe me faktin që rajoni është ende i pasigurt dhe ndikimi i Serbisë në rajon ka dëshmuar që është dekonstruktiv për sa i përket krijimit të një sigurie të qëndrueshme në rajon”, thotë Vrajolli.

Ibishi: Kërkesa për bazë ushtarake amerikane, e konsumuar

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, vlerëson se kërkesa e autoriteteve të Kosovës për një bazë të përhershme ushtarake amerikane në Kosovë, është vështirë të realizohet tash për tash. Kjo për faktin se, sipas tij, Komanda Evropiane e Operacioneve Speciale të Ushtrisë Amerikane, e njohur me akronimin SACEUR, në janar të këtij viti ka vendosur për themelimin e një bazë ushtarake në Shqipëri, për të rritur efikasitetin e pranisë së saj.

Shtabi i Forcave Operacionale Speciale të SHBA-së në Shqipëri, siç thotë Ibishi, do të jetë një bazë logjistike për koordinimin e veprimit të të gjitha njësive tokësore, ajrore dhe detare, për ndërhyrje të shpejtë në rajon.

“Mendoj se vendosja në Shqipëri, e njësive speciale, si bazë logjistike për veprim dhe komponentëve tjerë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por edhe të NATO-s, e konsumon këtë kërkesën tonë, për arsye se ka përfshirje rajonale. Nuk është vetëm për Shqipërinë, por është për të gjithë rajonin”, thotë Ibishi.

Vendimi i Komandës Evropiane për Operacionet Speciale të Ushtrisë Amerikane për ngritjen e shtabit pararojë të dislokuar në Shqipëri, kishte pasuar tensionimin e raporteve ndërmjet SHBA-së dhe Rusisë rreth kërcënimeve ruse në Ukrainë.

Forcat amerikane janë të stacionuara në kampin Bondsteel, në afërsi të Ferizajt, rreth 40 kilometra nga Prishtina dhe operojnë së bashku me partnerët tjerë në kuadër të KFOR-it, misioni i të cilit në Kosovë realizohet në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Bondsteel është kampi ushtarak amerikan i vetëm në Evropën Juglindore.

Por, cili do të ishte dallimi i pranisë së forcave amerikane në Kosovë përmes një baze të përhershme ushtarake dhe pranisë aktuale në kampin Bondsteel?

Kolonel Isufi thotë se ky dallim, tash për tash, nuk është diskutuar, për shkak se për kërkesën e Kosovës për një bazë të përhershme ushtarake amerikane dhe konceptin e saj ende nuk ka ndonjë vendim nga SHBA-ja.

“Kampi Bondsteel është funksional dhe vazhdon të shërbejë për trupat amerikane dhe KFOR-it për përmbushjen e detyrave sipas misionit dhe mandatit që kanë. Por, për konceptin, formatin, misionin dhe aspektet tjera të kampit të mundshëm të përhershëm amerikan, do të mbetet të vendoset në të ardhmen, pasi të ketë një vendim paraprak në parim”, theksoi kolonel Isufi.

Mentor Vrajolli thotë se në rast se eventualisht do të pranohej kërkesa e Kosovës për një bazë të përhershme ushtarake të SHBA-së, dallimi i saj nga prania ushtarake amerikane në kampin Bondsteel do të ishte i madh.

“Dallimi është jashtëzakonisht i madh, për faktin se baza aktuale (Bondsteel) është në kuadër të misionit të NATO-s, i cili në njëfarë forme nuk e njeh subjektivitetin e Kosovës. Ndërkaq, vendosja e një baze amerikane në Kosovë, me ftesën e Qeverisë së Kosovës, do të kishte një mandat kushtetues dhe ligjor të shtetit të Kosovës. Misioni i KFOR-it në Kosovë është i paraparë edhe në Kushtetutë, por KFOR-i prezencën e tij në Kosovë e arsyeton me Rezolutën 1244 dhe jo me Kushtetutën (e Kosovës)”, theksoi Vrajolli.

Sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, forcat e NATO-s, në kuadër të misionit KFOR, janë forcat e vetme ushtarake në Kosovë. Kjo e përjashton mundësinë e një baze ushtarake të re, jashtë këtij misioni në Kosovë, nga cilido shtet.

Nuredin Ibishi, thekson që baza eventuale e përhershme amerikane në Kosovë, mund të jetë Bondsteel-i, por vetëm pas shuarjes eventuale të misionit KFOR-it.

“Mendoj që mund të themi se eventualisht baza e Bondsteel-it të jetë e përhershme, pas përfundimit eventual, për një kohë të caktuar, të misionit të KFOR-it në Kosovë, sipas Rezolutës 1244. Pra, që baza ushtarake të vazhdojë të jetë kjo ekzistuesja, e Bondsteel-it, por jo një bazë tjetër ushtarake e re”, thekson Ibishi.

Forcat ushtarake amerikane janë të pranishme në Kosovë, në kuadër të forcave të NATO-s, që nga përfundimi i luftës dhe largimi i forcave serbe, në vitin 1999.

Aktualisht, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka 3.746 trupa që vijnë nga 28 vende të botës. Forcat amerikane në këtë mision numërojnë 635 ushtarë dhe shënojnë praninë më të madhe ushtarake në krahasim me 27 vendet tjera pjesëmarrëse në këtë mision.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë një numër të madh të bazave ushtarake në Evropë. Prania më e madhe ushtarake amerikane është në Gjermani, ndërkaq baza ushtarake të SHBA-së ka edhe në Itali, Britani të Madhe, Portugali, Turqi, Belgjikë, Spanjë, Bullgari, Holandë, Hungari, Greqi dhe të tjera.

Related Articles