Njëri prej themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Sami Lushtaku thotë se 5 marsi ishte një ditë e rëndë për të dhe bashkëluftëtarët e tij.
Lushtaku në një bisedë për Gazetën Enigma e kujton 24 vjetorin e rrethimit të familjes Prekazi nga ushtria Serbe si ditë të rëndë për të, por njëkohësisht edhe motivim që gjaku i komandantit Adem Jashari të jetë aty ku e ka vendin.
“Për mua dhe bashkëluftëtarët e mijë ka qenë një ditë e rëndë, trishtuese, por edhe një motivim shtesë që gjaku i komandatit legjendar Adem Jashari të jetë aty ku e ka vendin. Prandaj e rëndë, trishtuese e thash edhe njëherë për mu për bashkëluftëtarët e mij dhe për të gjithë ata që janë çlirimtar dhe mendojnë ndryshe”, thotë Sami Lushtaku për Gazetën Enigma.
Sami Lushtaku thotë se secili shqiptar që nuk e ka harru rrugën që e kanë bërë shqiptarët e Kosovës për t’u çliruar nga Serbia janë krenar për të arriturat që janë bërë.
“Vend për kritika gjithmonë do të ketë, pavarësisht sukseseve që janë arritë në Kosovë. Unë mendoj që secili shqiptar që nuk e ka harru të kaluarën, rrugën që ne e kemi kalu, unë besoj se do të jetë krenar me të arriturat që janë bërë këtu. E keni parasysh, gjyshërit tanë, baballarët tanë kanë vdekur me sy hapur me pa Kosovën me president me kryeministër me polici me FSK-në kështu qysh është tani. Unë mendoj se është arritur mjaft në Kosovë”, thotë Lushtaku.
“Gjithmonë ki mundësi me bo ma shumë edhe në familje, por unë mendoj që ne jemi të kënaqur që gjaku dhe sakrifica e njerëzve edhe para gjeneratave tona edhe para gjeneratave tana është arritur këtu ku jemi sot. E respektoj shtetin tem, mundin sakrificen e secilit”, thotë ai.
Ai thotë se nuk po i vlerësojnë sa duhet vlerat që i ka Kosova dhe populli i Kosovës.
“Ne po krenohemi me luftërat e tjerve dhe nuk po dimë me i respektu vlerat që i ka Kosova dhe populli i Kosovës”, përfundon Lushtaku.
Më 30 dhjetor të vitit 1991 kryhet sulmi i parë ndaj familjes Jashari. Ndërsa sulmin e dytë forcat paramilitare serbe e kryen në muajin janar, 1998. Më 22 janar forcat serbe sulmuan familjen Jashari, por edhe kësaj beteje, fëmijët dhe gratë e familjes Jashari i rezistuan. Megjithatë, në këtë betejë që zgjati afër 30 minuta, të plagosura mbeten Iliriana, vajza e Rifat Jasharit dhe Selvetja, vajza e Hamzë Jasharit.
Pas këtij sulmi, familjes Jashari i erdhën miq, shok e bashkëkombës për t’u solidarizuar me ta. Ata i kërkuan kryefamiljarit Jashari që t’i tërheqin gratë dhe fëmijët nga aty. Por, edhe gratë dhe fëmijët kishin marr vendimin që të qëndrojnë, duke thënë se “po të vriten djemtë, nuk na vyen jeta të jetojmë”. Dhe vendosen të qëndrojnë, qëndruan për t’i treguar botës se shqiptarët nuk shkojnë askund përtej truallit dhe shtëpive të tyre.
Sulmi i tretë, që ndodhi më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, mori jetën e 55 njerëzve në fshatin Prekaz, 22 prej të cilëve ishin familjarë të ngushtë të Adem Jasharit. Këtij sulmi i mbijetoi vetëm Bashkimi, djali i Rifatit, i cili ia del që mes datës 5-6 mars të largohet nga rrethina dhe arrin t’i shpëtojë sulmit, si dhe Besarta, vajza e Hamzës, e cila pa dhe përjetoj tmerrin derisa vriteshin anëtarët e familjes së saj.
Historia e familjes Jashari dhe eksponatet e saj janë vendosur në Muzeun e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në 24-vjetorin e rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari, familjes Jashari, dëshmorëve të kombit si dhe të gjithë të rënëve për liri, Qeveria e Kosovës më 5, 6 dhe 7 mars organizon manifestimin gjithëpopullor “Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”./GazetaEnigma/