Haradinaj për Enigmën: Rezistenca e familjes Jashari deri në flijim bëri kthesën e madhe te shqiptarët

Haradinaj për Enigmën: Rezistenca e familjes Jashari deri në flijim bëri kthesën e madhe te shqiptarët

Më 5 mars të vitit 1998 forcat paramilitare serbe e kishin rrethuar Prekazin, që ishte zemra e UÇK-së.

Pikërisht më 5 mars bëhen 22 vjet të rënies së komandantit legjendar, Adem Jasharit, familjes së tij dhe Jasharëve të tjerë. Mirëpo, çdo përvjetor Adem Jasharin e bënë më të lavdishëm në historinë e kombit tonë.

Me aktin e rënies së komandantit legjendar Adem Jasharit, familjes së tij dhe Jasharëve të tjerë, Kosova mundi frikën me çka i hapi shtigjet e lirisë dhe të ardhmërisë.

Njëri prej themeluesve të UÇK-së, Ramush Haradinaj në një bisede për Gazeten Enigma, thotë se rezistenca e komandantit Jashari dhe familjes Jashari bëri kthesën e madhe te shqiptarët që ta çlironin Kosovën nga okupimi serb.

“Kanë qenë përpjekje intensive të shqiptarëve të Kosovës, të rinisë kosovare të UÇK-së për me u bo gati për luftën, për fillimin e luftës. Kthesa e madhe ka ndodhur më 5 mars të vitit 1998 sulmet në Prekaz në këtë luftë në Epopenë e Ushtrisë Çlirmtare të Kosovës. Rezistenca e komandantit legjendar Adem Jashari e familjes Jashari e bashkëluftëtarve të tij deri në flijim, pra deri në vdekje e të gjithëve duke e bërë kthesen e madhe te shqiptarët jo vetëm te UÇK-ja e atëhershme, por te gjithë shqiptarët liridashës”, thotë Haradinaj për Gazetën Enigma.

Haradinaj e konsideron 5 marsin e vitit 1998-të si ditën e lirisë së Kosovës.

“Lirisht mund të themi se 5 marsi i vitit 1998 është dita e lirisë tonë”.

Flijimi i Adem Jasharit dhe familjes Jashari për Ramush Haradinajn ka qenë një mesazh i fortë për shqiptarët që të motivohen e të luftojnë për liri dhe çlirimin e Kosovës.

“Ka qenë vërtetë ai momenti që të gjithë e kanë kuptu edhe e kanë vendos që nuk do t’i lëshojmë trojet tona dhe do të luftojmë deri në liri. Ka qenë një porosi e qartë që do të luftojmë deri në çlirim”, përfundon Haradinaj.

Më 30 dhjetor të vitit 1991 kryhet sulmi i parë ndaj familjes Jashari. Ndërsa sulmin e dytë forcat paramilitare serbe e kryen në muajin janar, 1998. Më 22 janar forcat serbe sulmuan familjen Jashari, por edhe kësaj beteje, fëmijët dhe gratë e familjes Jashari i rezistuan. Megjithatë, në këtë betejë që zgjati afër 30 minuta, të plagosura mbeten Iliriana, vajza e Rifat Jasharit dhe Selvetja, vajza e Hamzë Jasharit.

Pas këtij sulmi, familjes Jashari i erdhën miq, shok e bashkëkombës për t’u solidarizuar me ta. Ata i kërkuan kryefamiljarit Jashari që t’i tërheqin gratë dhe fëmijët nga aty. Por, edhe gratë dhe fëmijët kishin marr vendimin që të qëndrojnë, duke thënë se “po të vriten djemtë, nuk na vyen jeta të jetojmë”. Dhe vendosen të qëndrojnë, qëndruan për t’i treguar botës se shqiptarët nuk shkojnë askund përtej truallit dhe shtëpive të tyre.

Sulmi i tretë, që ndodhi më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, mori jetën e 55 njerëzve në fshatin Prekaz, 22 prej të cilëve ishin familjarë të ngushtë të Adem Jasharit. Këtij sulmi i mbijetoi vetëm Bashkimi, djali i Rifatit, i cili ia del që mes datës 5-6 mars të largohet nga rrethina dhe arrin t’i shpëtojë sulmit, si dhe Besarta, vajza e Hamzës, e cila pa dhe përjetoj tmerrin derisa vriteshin anëtarët e familjes së saj.

Historia e familjes Jashari dhe eksponatet e saj janë vendosur në Muzeun e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në 24-vjetorin e rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari, familjes Jashari, dëshmorëve të kombit si dhe të gjithë të rënëve për liri, Qeveria e Kosovës më 5, 6 dhe 7 mars organizon manifestimin gjithëpopullor “Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”./GazetaEnigma/

Related Articles