S’ka më pritje në sportele, qytetarët mund të marrin dokumentet e ofiçarisë pa pagesë

S’ka më pritje në sportele, qytetarët mund të marrin dokumentet e ofiçarisë pa pagesë

Qytetarët e vendit mund të nxjerrin një varg dokumente të ofiçarisë përmes platformës elektronike E-Kosova. Me nxjerrjen e rregullores së re, qytetarëve u mundësohet që këto dokumente t’i marrin pa pagesë dhe në çdo kohë. Por, monitoruesit e komunave kanë thënë se duhet të organizohet një fushatë vetëdijesuese pasi që moshat e shtyra nuk e njohin sistemin elektronik.

Qytetarët e vendit nuk do të kenë nevojë të kërkojnë dokumente të gjendjes civile nëpër sportele të komunave.

Kjo pasi që Agjencia e Regjistrimit Civil në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës tashmë ka nxjerrë një udhëzim të ri administrativ, i cili nëpërmjet platformës E-Kosova ua mundëson atyre t’i nxjerrin të gjitha dokumenteve pa pagesë.

Këto dokumente kanë afatin e përhershëm të validitetit.

Por kjo platformë po konsiderohet se mund të ketë telashe për moshat e vjetra të cilat nuk e përdorin internetin.

“Ka me qenë pak problem sepse e kemi një moshë të vjetër të cilët interesohen më shumë për dokumente të gjendjes civile, prapë se prapë nuk do të ketë ndonjë lehtësi apo ndonjë largim të vlugut të qytetarëve. Prapë se prapë do të kemi vlug të qytetarëve për shkak se qytetarët derisa të njoftohen dhe rinia derisa ta kuptojnë se sa është i rëndësishëm dokumenti dhe mund ta marrin nga shtëpia”, ka thënë Nesret Ademi, shefi i ofiçarisë në Komunën e Ferizajt.

Murat Haziri, shef i ofiçarisë në Komunën e Lipjanit, ka sqaruar se udhëzimi i ri administrativ largon radhët e gjata nëpër sportele.

“Është shpenzuar shumë letër kualitative sigurisht me këtë udhëzim do të ketë më pak shpenzime në letër, dokumentet e gjendjes civile e kanë afatin e pa kufizuar, ndonëse të gjitha institucionet e Kosovës e kanë kërkuar që dokumentet të kenë afat të kufizuar”, ka thënë ai.

Monitoruesit e komunave kanë thënë se institucionet duhet ta thjeshtësojnë më shumë platformën digjitale, në mënyrë që qytetarët të marrin shërbime sa më të shpejta.

“Ne si organizatë kemi disa vërejtje që Ministria e Punëve të Brendshme, gjegjësisht Agjencioni për Regjistrim Civil duhet të punojnë më shumë me qytetarët e grupmoshave të shtyra të cilat nuk dinë t’i përdorin platformat elektronike të internetit siç është E-Kosova. Andaj rekomandojmë Ministrinë dhe Agjencionin në vetëdijesimin dhe informimin e qytetarëve se si mund të përdorën këto platforma për nxjerrjen e dokumenteve të regjistrimit civil”, është shprehur Bekim Krasniqi nga organizata “YAHR”.

Ky udhëzim administrativ ka hyrë në fuqi që nga fillimi i javës, por qytetarët mund të nxjerrin dokumente edhe në ditët e vikendeve.

Related Articles