Drejtoresha e Mirëqenies Sociale në Komunën e Pejës, Albulena Mujaj-Bajraktaraj, gjatë intervistimit në Komisionin Hetimor për rastin e Arlinda Zekajt, u pyet nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, nëse ishte takuar me të ndjerën Arlinda Zekaj.
Ajo u përgjigj me po, ndërkaq, mohoi pretendimet se e kishte detyruar Zekajn ta tërhiqte ankesën.
“Jo, nuk është e vërtetë”, tha ajo.
Duke folur për takimin me të ndjerën, drejtoresha tha se ai kishte ndodhur menjëherë pas paraqitjes së rastit në polici. Sipas saj, rasti ishte paraqitur të premten, më datë 10 korrik, në orët e pasdites, ndërsa Arlinda kishte kërkuar takim me të, të hënën në mëngjes.
“Takimi jonë ka ndodhur menjëherë pas paraqitjes së rastit në polici. Rasti është paraqitur me datën 10 korrik, korrekt, ka qenë ditë e premte mbasdite, në bazë të raportit të informacionit që e kam. Edhe Arlinda ka ardhur menjëherë ditën e hënë. Ka kërkuar takim me mua paradite, menjëherë sapo kam filluar punën. Normalisht që e kam pritur, thashë e kam pasur bashkëvendase. Njëkohësisht secilin qytetar që kërkon takim me mua jam në dispozicion ta pres edhe ta udhëzoj edhe normalisht të kryej funksionin për shkak të të cilit jam zgjedhur”, u shpreh ajo.
E pyetur nëse Arlinda i kishte shprehur shqetësimet e saj gjatë takimit, Mujaj-Bajraktaraj tha se e ndjera kishte shprehur pakënaqësi për trajtimin e rastit në polici dhe për vlerësimin profesional.
“Arlinda ka shpreh shqetësime për trajtimin e rastit në polici. Në polici, ku ka qenë prezent edhe zyrtari për shërbime sociale. Ka kërkuar që rasti me u trajtuar me prezencë në vazhdim, me u trajtuar me prezencë të ambasadës amerikane edhe ka shpreh shqetësim në aspektin profesional të vlerësimit, duke e cilësuar si vlerësim të njëanshëm”, deklaroi ajo.
E pyetur nëse kishte ndërmarrë ndonjë veprim pas shqetësimeve të paraqitura nga Arlinda Zekaj, ajo tha se menjëherë kishte ftuar udhëheqësin e shërbimit social, në mënyrë që ai, në cilësinë e profesionistit, ta udhëzonte palën për të drejtat dhe procedurat që duhej të ndiqeshin.
“Menjëherë sapo e kam kuptuar arsyen e takimit, e kam ftuar udhëheqësin e shërbimit social në cilësinë e profesionistit, me udhëzuar palën çka ka të drejtë edhe cilat janë procedurat në vijim. Udhëheqësi i ka kërkuar Arlindës, si të gjitha këto, kërkesa, ankesa, t’i dorëzojë me shkrim edhe mandej ta shohim mënyrën e trajtimit”, tha Mujaj-Bajraktaraj.
