Lufta e Rusisë kundër fqinjit të saj po vazhdon. Sulmet e forcave ruse mbi qytetet e Ukrainës s’janë ndalur as në ditën e njëmbëdhjetë të luftimeve. Në Ukrainë mëngjesi ka zbardhur dhe më poshtë mund të lexoni se si qëndron situata atje.
Presidenti amerikan Joe Biden ka folur në telefon me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, për të diskutuar përpjekjet e vazhdueshme për të vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe për ta përshpejtuar ndihmën ushtarake, humanitare dhe ekonomike nga ana e SHBA-së. Shtëpia e Bardhë tha se gjatë bisedës dyshja diskutoi gjithashtu për bisedimet midis Rusisë dhe Ukrainës, por nuk ofroi detaje shtesë.
Kryeministri i Britanisë, Boris Johnson ka lëshuar një plan me gjashtë pika si reagim ndaj pushtimit rus të Ukrainës dhe po u kërkon liderëve të tjerë që ta mbështesin atë në përpjekjet për të siguruar që Rusia të dështojë në përpjekjen e saj të dukshme për ta marrë nën kontroll fqinjin e saj.
Presidenti ukrainas, Zelenskiy, tha se ka folur me shefin e SpaceX dhe Tesla, Elon Musk, duke njoftuar se vendi do të marrë më shumë nga terminalet e tij të internetit satelitore Starlink këtë javë.
Gjigantët e kartave të kreditit me bazë në SHBA, Visa dhe Mastercard njoftuan se do t’i pezullojnë shërbimet e tyre të biznesit në Rusi.
Ushtria ukrainase në raportin e saj të fundit operacional tha se forcat ruse vazhdojnë të përqendrohen në Kyiv ndërsa vazhdojnë me sulmet në Kharkiv, Mykolaiv dhe krijimin e një korridori tokësor me Krimenë. Raporti thotë se avionët nga aeroportet në territorin e Bjellorusisë ishin përfshirë në sulme ajrore në infrastrukturën ushtarake dhe civile në Kyiv dhe Zhytomyr.
Instituti për Studimin e Luftës, me bazë në SHBA publikoi një raport duke thënë se forcat ruse në Ukrainë mund të kenë hyrë në një pauzë të shkurtër operacionale ndërsa përgatiten të rifillojnë operacionet kundër Kyivit, Kharkivit, Mykolayivit dhe ndoshta Odesas në 24-48 orët e ardhshme.
Përpjekjet për shpërndarjen e ndihmave humanitare në Ukrainë janë rritur pasi vullnetarët në të gjithë vendin punojnë pa u lodhur për të mbledhur nevojat bazë për t’ua dhënë refugjatëve dhe për të përgatitur furnizime ushqimore për ushtrinë që do të dërgohet në vijën e parë të frontit.
Situata humanitare në portin jugor të Ukrainës të Mariupolit është “katastrofike” dhe është jetike që civilët të evakuohen, paralajmëroi një zyrtar i lartë nga OJQ-ja “Mjekët pa Kufij”.
Fondi Monetar Ndërkombëtar njoftoi se mund të miratojë 1.4 miliardë dollarë financime emergjente që në fillim të javës së ardhshme, pasi organi paralajmëron për “ndikim të rëndë” të luftës në ekonominë globale.
Sanksionet perëndimore ndaj Rusisë janë pengesë për ringjalljen e marrëveshjes bërthamore të Iranit, tha ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov.
Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba u takua me Sekretarin amerikan të Shtetit Antony Blinken. Ai tha se Ukraina “do ta fitojë këtë luftë”, por ka nevojë për më shumë ndihmë nga NATO. Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dymtro Kuleba, bëri thirrje për më shumë ndihmë ushtarake, ndërsa Reuters raporton se Zelenskiy bëri një “lutje të dëshpëruar” për Europën Lindore që t’i sigurojë Ukrainës avionë të prodhuar nga Rusia. Në një telefonatë me senatorët amerikanë, mësohet se ai ka kërkuar gjithashtu një zonë ndalim-fluturimi, ndihmë vdekjeprurëse, ndalim të naftës ruse dhe pezullimin e shërbimeve të Visa dhe Mastercard në Rusi.
SHBA thuhet se është në diskutime me Poloninë për mundësinë që Polonia t’i ofrojë më shumë avionë luftarakë Ukrainës me SHBA-në që potencialisht pajtohet ta mbushë flotën e avionëve luftarakë të Polonisë nëse Varshava vendos të transferojë MiG-29 të saj të përdorur në Ukrainë, thanë katër zyrtarë amerikanë për POLITICO.
Rusia dhe Ukraina planifikojnë një raund tjetër bisedimesh të hënën, edhe pse bisedimet e mëparshme që prodhuan një marrëveshje për armëpushim të kufizuar gjatë korridoreve për civilët nuk janë respektuar nga Rusia.
Kombet e Bashkuara kanë regjistruar 351 civilë të vrarë dhe 707 të plagosur në Ukrainë, sipas komisionerit të lartë të OKB-së për të drejtat e njeriut.
Dhjetëra mijëra njerëz u mblodhën në organizimet në të gjithë botën në mbështetje të Ukrainës gjatë fundjavës për të kërkuar fundin e pushtimit të Rusisë.