Sot në Mitrovicë të Veriut një grup i qytetarëve mbajtën një tubim në mbështetje të popullit rus, për të cilin thanë se “po persekutohet” jashtë Rusisë. Në mesin e atyre që u bënin thirrje rusëve dhe ukrainasve që “të gjejnë një zgjidhje të përbashkët dhe të bashkohen kundër Perëndimit” ishte edhe një pjesëtar i stafit të Policisë së Kosovës.
Sinjali mëson se bëhet fjalë për Ilija Kovacevic, i cili është pjesë e stafit civil në Drejtorinë rajonale të Policisë në Mitrovicë të Veriut.
Ilija dhe një numër i qytetarëve u raportua se u tubuan për të çuar mesazhe paqeje, pa përkrahur vrasje dhe aksione luftarake.
Njëri nga protestuesit, Nebojsha Joviq, tha se ai dhe disa qytetarë që u mblodhën sot “nuk mund të qëndronin mënjanë, duke parë ngjarjet në Ukrainë dhe duke parë persekutimin e popullit rus jashtë Rusisë”.
“Sot ne po përcjellim një mesazh mbështetjeje për popullin rus – vëllezërit tanë rusë, ju nuk jeni vetëm, ne jemi me ju dhe do të jemi me ju. Ne po u themi atyre se serbët e Kosovës e duan popullin e tyre vëlla rus”, tha Joviq.
Ndryshe, ditë më parë, në Beograd është mbajtur një marsh në përkrahje të Rusisë me fotografi të Putinit dhe flamuj rusë e serbë.
Qëndrimi zyrtar i Serbisë ishte se “e përkrah sovranitetin territorial të Ukrainës”, por megjithatë nuk iu bashkua shteteve perëndimore për t’i vendosur sanksione Rusisë./Gazeta Enigma/