Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba dhe homologu i tij rus Sergei Lavrov do të takohen për negociata “ballë për ballë” të enjten.
Sipas mediave të huaja, bisedimet do të zhvillohen në qytetin turk Antalia, me ndërmjetësimin e ministrit të Jashtëm turk Mevlüt Çavuşoğlu.
Ndryshe, sot pasdite, delegacionet nga të dy vendet do të takohen në Bjellorusi për një raund të tretë bisedimesh.
Një takim i tillë pritet të ndodhë kur numri i civilëve të vdekur në të gjithë Ukrainën që kur Rusia nisi agresionin e saj më 24 shkurt është 364, duke përfshirë më shumë se 20 fëmijë, thanë Kombet e Bashkuara të dielën.
Ndërkohë më shumë se 1.5 milion ukrainas kanë dalë jashtë vendit në vetëm 11 ditë në atë që OKB-ja tani e quan “krizën më të shpejtë të refugjatëve në Evropë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore”.