Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci për nder të festës së 7 marsit, vizituan shkollën fillore dhe të mesme të ulët “Elena Gjika” në Prishtinë.
Aty ministrja Nagavci bëri të ditur se për herë të parë për vitin 2022 kanë paraparë buxhet për mësimdhënësit me probleme shëndetësore.
Kryeministri Kurti, përveç se arsimin e konsideroi si vendin ku fëmija takon për herë të parë shtetin, tha se të gjithë mësimdhënësit do t’i mbështesë dhe do të qëndrojnë bashkë për t’i ndihmuar në mënyrë që të kenë kushte të dinjitetshme të punës.
“Arsimi, shkolla është vendi ku fëmija për herë të parë e takon shtetin. Tek ju e takon shtetin për herë të parë dhe nëse nëna është mësuesja e parë, mësuesja është nëna e dytë dhe ne nuk jemi të vetëdijshëm sesa shumë fëmijët rriten brenda raportit nënë-mësuese… Ne do të jemi bashkë me Ministrinë e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe me gjithë Republikën e Kosovës, sa më pranë jush në mënyrë që t’ju ndihmojmë, t’ju mbështetim që edhe mësimdhënësit t’i kenë kushtet e dinjitetshme të punës, e gjithashtu edhe kompensimin e merituar. Por në të njëjtën kohë edhe nxënësit nga gjenerata në gjeneratë të jenë më të mirë”, tha Kurti.
Ai gjithashtu ka theksuar që Kosova, mbi të gjitha ka nevojë për një arsim cilësor, ndërsa progresin tek nxënësit e cilësoi si dëshmi për atë që i pret në të ardhmen.
“Meqenëse kemi nevojë për shëndetësi të mirë, kemi nevojë për ekonomi të zhvilluar, siguri të qëndrueshme por do të thoshim që jo mbase vetëm sot se mbi të gjitha kemi nevojë për arsim cilësor… Progresi tek nxënësit që është dëshmi e punës së mësimdhënësve dhe përkushtimit të shtetit është dëshmia më e qartë, më e saktë për atë që na pret në të ardhmen. Shpesh kemi dëgjuar se si na thonë që rinia është e ardhmja, në fakt rinia është e tashmja, pasi që e ardhmja janë fëmijët, bile edhe ata që nuk kanë lindur ende, ata janë e ardhmja e vërtetë. E ju mund ta parashihni të ardhmen tonë, sepse ju e dini se si janë fëmijët e vendit tonë”, u shpreh Kurti.
Ndërsa ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci bëri të ditur se janë duke punuar në infrastrukturën ligjore, dhe në këtë vit është planifikuar buxheti për ata mësimdhënës të cilët kanë probleme shëndetësore.
“Disa nga hapat që i kemi marrë në Qeveri sivjet për herë të parë në buxhetin e vitit 2022, kemi planifikuar buxhetin për mësimdhënësit të cilët kanë probleme shëndetësore sepse jemi të vetëdijshëm që plot nga kolegët tanë kanë vështirësi në zhvillimin e mësimdhënies së rregullt për shkak të problemeve shëndetësore, dhe si një problem i shprehur nga shumica e shkollave, ne kemi adresuar dhe jemi duke punuar edhe në infrastrukturën ligjore që të lejojmë që secili mësimdhënës të kryej punën e vet pa brengën e shqetësimeve që i sjell shëndeti”, tha Nagavci. /Gazeta Enigma/.