A ka filluar tashmë Lufta e Tretë Botërore?

A ka filluar tashmë Lufta e Tretë Botërore?

Disa ekspertë të sigurisë besojnë se Lufta e Tretë Botërore tashmë ka nisur, të tjerë thonë se është vetëm çështje kohe derisa pushtimi rus i Ukrainës ta ndezë shkëndijën që do ta shkaktojë një konflikt ekzistencial dhe global.

Presidenti Putin të shtunën e përshkroi një vendim të Perëndimit për të vendosur sanksione të paprecedentë kundër regjimit të tij si “i ngjashëm me shpalljen e luftës”.

Ai ka të drejtë. Të dyja palët janë të mbyllura në një luftë ekonomike dhe politike.

Pyetja kryesore është nëse të dyja palët kanë kufizimin dhe/ose dëshirën për ta mbajtur këtë konflikt më të gjerë nën pragun e një konflikti të plotë ushtarak.

Është një ekuacion i balancuar delikat dhe nënvizon brishtësinë dhe zymtësinë e vijës midis asaj që konsiderohet konvencionalisht si paqe dhe luftë.

Për sa i përket pikave të mundshme të ndezjes që e çojnë botën në konfrontim të armatosur, ka shumë.

Aleatët individualë, duke përfshirë Britaninë e Madhe, Shtetet e Bashkuara dhe madje – që nga fillimi i pushtimit të Rusisë – Gjermania e mëparshme më pacifiste, po përpiqen ta gjejnë një vijë të mesme midis ndërhyrjes së drejtpërdrejtë dhe mosbërjes së asgjëje.

Kjo përfshin dërgimin e armëve dhe municioneve për ta forcuar aftësinë e Ukrainës për ta mbrojtur veten.

Rezultati përfundimtar nuk është aq efektiv sa NATO-ja që e mbron drejtpërdrejt hapësirën ajrore të Ukrainës, por në mënyrë të qartë po e ndihmon Ukrainën ta bëjë të njëjtën gjë. Shpresa është se Rusia do ta vlerësojë dallimin.

Po sikur Moska të vendosë ta shohë rrëzimin e një prej avionëve të saj nga një raketë amerikane e dhuruar ukrainasve ngjajshëm sikur me atë që SHBA-ja e ka rrëzuar atë drejtpërdrejt?

Në anën tjetër, paramendojeni se çfarë do të nënkuptonte një disfatë për Ukrainën. Do të kishte një ndikim të thellë në bilancin e fuqisë në Evropë dhe në fund mund ta nxiste oreksin e regjimeve të tjera autoritare – kryesisht Kinës – për ta përdorur forcën ushtarake që ta imponojë vullnetin e saj mbi vendet tjera.

Një faktor tjetër që mund të bëjë që pushtimi rus i Ukrainës të shpërthejë në një luftë më të gjerë është duke e shkaktuar atë përmes ndonjë aksidenti.

Sa më gjatë të zgjasë konflikti, aq më i madh është rreziku që një raketë ose raketë e humbur ruse t’i godasë një nga vendet e NATO-s që janë në kufi me Ukrainën, ose ta sulmojë një anije luftarake ose të rrëzojë avionë të aleatëve që janë duke fluturuar në afërsi.

Së fundi, ekziston mundësia e një llogaritje të gabuar nga Rusia, duke shkaktuar një zinxhir ngjarjesh që shpërthejnë në luftë globale.

Kjo mund të ketë ndodhur tashmë me vendimin e Putinit për të pushtuar Ukrainën.

Por, çka nëse ai vendos të shkojë edhe më tej, p.sh., duke e vënë në shënjestër Moldavinë fqinje ose ta testojë drejtpërdrejt unitetin e NATO-s duke sulmuar drejtpërdrejt një anëtar të aleancës? Aftësia e botës për të thithur goditje të tilla duke mos e prishur sigurinë është e kufizuar dhe tashmë është duke u testuar deri në limitet e saja./Sky News

Related Articles