Në dosjen përfundimtare të Zyrës së Prokurorit të Specializuar të dorëzuar në çështjen gjyqësore ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinaj thuhet se grupi i tretë i dokumenteve të rrjedhura, përfshinte analizë të provave dhe ligjit në lidhje me Azem Sylën, Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin.
Gucatit e Nasim Haradinaj thuhet se grupi i tretë i dokumenteve të rrjedhura, përfshinte analizë të provave dhe ligjit në lidhje me Azem Sylën, Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin.
Gucati e Haradinaj po akuzohen për vepra penale që ndërlidhen me pengimin e administrimit të drejtësisë lidhur me konferencat që mbajtën pasi në zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), në shtator të vitit 2020, në tre raste u dërguan nga i ashtuquajturi “Rrufeja” grupe dokumentesh, të cilat konsideroheshin si konfidenciale të prokurorisë.
Këto dokumente thuhet se përmbanin deklarata e të dhëna të dëshmitarëve të mbrojtur.
Sipas prokurorisë, grupi 3 i dokumenteve që u dorëzuan në OVL- UÇK përbëhet nga dy kopje të paplota, duke numëruar 244 dhe 245 faqe, të një dokumenti konfidencial të ZPS-së, që numëron 261 faqe, që ka të bëjë me hetimet dhe procedurat zyrtare të ZPS-së, që përbën një produkt të brendshëm të punës.
“Ai përfshin një analizë të provave dhe ligjit në fuqi në lidhje me pesë persona, përkatësisht Azem Syla, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi”, thuhet në dosje të prokurorisë.
Prokuroria thotë se ky grup dokumentesh gjithashtu përmban referenca për rreth 150 dëshmitarë, [REDAKTUAR], si dhe referenca të hollësishme për deklaratat e dëshmitarëve dhe të dyshuarve.
“Pothuajse të gjitha 489 faqet e përfshira në grupin 3 shfaqin shenja të qarta se janë produkt i brendshëm i punës së ZPS-së”, thuhet tutje, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Po ashtu, thuhet se grupi 3 përfshin identitetet e dëshmitarëve që në kohën e zbulimit të tretë ishin subjekt i urdhrave rreptësisht konfidenciale dhe ex parte për moszbulim në procedurat para Dhomave të Specializuara dhe/ose kërkesave për moszbulim rreptësisht konfidenciale dhe ex parte në pritje në procedurë para Dhomave të Specializuara.
“Grupi 3 përfshin më tej referenca ndaj deklaratave të dëshmitarëve dhe dokumenteve dhe informacioneve të tjera që i janë dhënë ZPS-së nga organizatat ndërkombëtare, që i nënshtrohen kufizimeve të konfidencialitetit dhe përdorimit”, thuhet në këtë dosje.
Prokuroria thotë se këto përfshijnë deklaratat e dëshmitarëve dhe dokumentet e ofruara në ZPS, me kusht që materialet të trajtohen si konfidenciale dhe të përdoren vetëm për qëllime të hetimeve dhe procedurave gjyqësore.
“Përveç kësaj, grupi 3 përfshin gjithashtu referenca për emrat, pseudonimet dhe dëshmitë e dëshmitarëve, identiteti i të cilëve ishte subjekt i masave mbrojtëse të mëparshme të urdhëruara nga gjykata e Kosovës, duke përfshirë moszbulimin e identitetit të dëshmitarit, caktimin e pseudonimeve dhe moszbulimin e të dhënave të dëshmitarëve”, thuhet në këtë dosje.
Sipas prokurorisë, në konferencën e tretë për medie, Nasim Haradinaj kishte thënë se OVL- UÇK-ja kishte dy kopje të dokumenteve, të cilat iu ishin dorëzuar më herët atë ditë.
“Ai tha se e kupton që zbulimi i tretë kishte të bënte me një ‘draft aktakuzë’ në lidhje me pesë persona potencialisht për t’u akuzuar: ‘Azem Syla, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi’. Haradinaj ka dëshmuar se ka përmendur emrat që janë shënuar në faqen e parë të zbulimit të rreptë. Aktakuza e konfirmuar ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit është bërë publike nga Dhomat e Specializuara vetëm më 5 nëntor 2020”, thuhet nga prokuroria.
Tutje, thuhet se Haradinaj deklaroi se Xhavit Haliti, emri i të cilit gjithashtu më vonë u shfaq në versionin publik të aktakuzës kundër Thaçit dhe të tjerëve, ishte përmendur në zbulimin e tretë së bashku me personat dhe lokacionet e tjera.
“ZPS-ja publikisht zbuloi disa nga këto lokacione si vende krimi përmes aktakuzës të bërë të qasshme për publikun më 5 nëntor 2020”, thuhet në këtë dosje.
Sipas prokurorisë, të akuzuarit e cilësuan grupin 3 si “draft aktakuzë” kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit, Jakup Krasniqit dhe Azem Sylës.
“Megjithëse vetëm një tregim i ZPS-së për vendet e paraburgimit dhe jo një draft aktakuzë në vetvete, një memorandum i brendshëm i ZPS-së që tregon këta emra dhe emrat e dëshmitarëve u publikua nga media të ndryshme në ose rreth datës së konferencës së tretë për shtyp”, thotë prokuroria.
Prokuroria pretendon se i vetmi informacion i disponueshëm publikisht për ecurinë e rasteve para Dhomave të Specializuara ishte se ZPS kishte ngritur aktakuza kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe personave të tjerë për të cilët nuk ishin dhënë emra.
Sipas tyre, të akuzuarit e dinin mirë këtë me Gucatin që i karakterizonte aktakuzat që ai ende nuk i kishte parë si të motivuara politikisht dhe Haradinaj i hodhi poshtë ato si “vetëm një pamflet i gjykatës” dhe “shantazh”.
“Duke reflektuar qëllimin e të akuzuarve, Tomë Gashi tha se publikimi i dokumenteve nga OVL e UÇK-së nënkuptonte se gjyqtari duhet të mendojë përsëri para se të vendos nëse do ta konfirmojë aktakuzën kundër presidentit Thaçi dhe të tjerëve dhe se shpreson që dokumentet e nxjerra do të ndihmojnë që aktakuza kundër presidentit Thaçi të mos konfirmohet”, shkruhet në dosje të prokurorisë.
Hysni Gucati së bashku me Nasim Haradinaj, po akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.
“Akuzat e paraqitura në aktakuzën e konfirmuar mbështeten në dyshimin e bazuar mirë se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, z. Gucati dhe z. Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara.
Gucati dhe Haradinaj ngarkohen se kanë bërë komente nënçmuese kundër dëshmitarëve të mundshëm dhe në mënyrë të përsëritur shprehen synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara.
“Me këto veprime, z. Gucati dhe z. Haradinaj shkelën fshehtësinë e procedurës dhe frikësuan dëshmitarë (të mundshëm) të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe si pasojë penguan punën dhe hetimet e ZPS-së”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës.