Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba tha pas takimit me homologun rus, Sergei Lavrov se “duket se Rusia do ta vazhdojë ofensivën e saj”, ndërsa shtoi se pala ruse kërkon që ukrainasit të dorëzohen, gjë që tha se nuk do të ndodhë.
Siç raporton Reuters, Lavrov tha se “operacioni special ushtarak”, siç e quan Rusia po shkon sipas planit, ndërsa shtoi se ata do ta durojnë krizën.
Kuleba tha se përshtypja e tij është se Rusia nuk është aktualisht në një pozicion për të vendosur armëpushim dhe se nuk ka diskutuar për furnizimet ushtarake për Ukrainën me ministrin e Jashtëm rus.
Kuleba tha se Ukraina është e gatshme për diplomaci, por se janë gjithashtu të gatshëm ta mbrojnë veten.
“Ukraina nuk mund ta ndalë luftën nëse vendi që filloi agresionin nuk ka dëshirë ta bëjë këtë”, tha ai.
Ndërkohë Lavrov tha se furnizimi i Ukrainës me armë është veprim shumë i rrezikshëm.
“Ne nuk kemi plan të sulmojmë shtete të tjera. Nuk e kemi sulmuar Ukrainën. E kemi shpjeguar se kishte një kërcënim për sigurinë e Rusisë dhe pas disa vitesh që ngritëm alarmin, askush nuk na dëgjoi. Kundër republikave në Donetsk dhe Luhansk ishin planifikuar sulme këtë muaj”, tha ai.