Ministrja Hajdari ua kujton bizneseve nenin që parasheh burgim deri në 5 vjet

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka thënë se me shqetësim ka pranuar ankesat e qytetarëve për rritje të çmimeve.

Ajo ka bërë të ditur se gjendja është nën kontroll dhe nuk duhet të ketë panik.

Hajdari në një postim në Facebook, ka vënë si foto nenin 295 të Kodit Penal, ku në dy pika parashihet edhe burgimi deri në 5 vite pë rata që keqpërdorin pozitën monopoliste e dominuese.

“Ministria që unë drejtoj në koordinim me organet kompetente, po marrin masat e duhura sipas legjislacionit të Republikës së Kosovës, ku ndër ligjet përkatëse është edhe kodi penal i postuar më poshtë”, ka shkruar ajo.

E në nenin 295 të Kodit Penal flitet për keqpërdorim të pozitës së monopolit. Në pikën 1, parashihet burgim deri në 3 vjet, kurse në pikën 2 deri në 5 vjet.

Sot gjatë ditës çmimi i vajit ka arritur në 3.5 euro për litër, ndërkohë që një komplet me vezë (30 copë) është shitur për gati 5 euro. Shtrenjtim ka pasur edhe në produkte të tjera.

Për këtë, në orët e mbrëmjes është aktivizuar edhe Prokuroria e Shtetit dhe Krimet Ekonomike të Policisë./GazetaEnigma/

Related Articles