Walt Disney Co, me seli në SHBA, është bërë biznesi i fundit që i ka dhënë fund veprimtarive në Rusi, pasi njoftoi një “pauzë” të bizneseve të saj në këtë shtet.
Lëvizja përfshin licencimin e përmbajtjes dhe produktit, revistën dhe turnetë e National Geographic, Disney Cruise Line, kanale televizive lineare dhe prodhimin e përmbajtjes lokale.
“Disa nga ato aktivitete biznesi ne mund dhe do t’i ndalojmë menjëherë”, ka thënë kompania në një deklaratë.
“Të tjerat – të tilla si kanalet lineare dhe disa përmbajtje dhe licencime produktesh, do të kërkojnë kohë duke pasur parasysh kompleksitetin kontraktual”, thuhet më tej në deklaratë.
Stafi i saj në Rusi, megjithatë, do të mbetet i punësuar nga firma.
Në fillim të kësaj jave, Disney njoftoi se do të ndalonte shfaqjen e filmave teatral në Rusi.