Në Klinikën e Kirurgjisë Torakale të Qendrës Klinike Universitare është kryer një intervenim, i cili më herët nuk është bërë në Kosovë.
Operacioni ka të bëjë me largimin e pjesëve metalike të cilat pacienti 16-vjeçar i kishte pasur brenda në gjoks për 24 muaj, në mënyrë që t’i korrigjohej defekti i lindur në murin e përparmë të gjoksit.
Sikurse vendosja e pllakave edhe largimi i tyre deri më tani është realizuar jashtë vendit.
Mirëpo, me huazimin e mjeteve nga Klinika Ortopedike, kirurgët torakalë e kanë bërë largimin e këtyre pllakave, dhe do ta bëjnë edhe në vazhdimësi.
Drejtori i kësaj klinike, Nazmi Kolgeci, tha se kostoja për vendosjen e këtyre pllakave dhe largimit të tyre jashtë vendit është e lartë, i njëjti bën me dije se me këto mjete do të mund të bëheshin investime në klinikë që të kryhej ky lloj operacioni nga faza e parë deri tek e fundit./Gazeta Enigma/