Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, ka njoftuar se nesër në mëngjes do të thërrasë mbledhje urgjente të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, pas dy ngjarjeve tragjike që kanë ndodhur në këtë qytet.
Përmes një postimi në facebook, Hyseni ka shprehur ngushëllime për familjet që humbën të afërmit e tyre, ndërsa të lënduarve u ka uruar shërim të shpejtë.
Ai ka bërë të ditur se në këtë mbledhje do të koordinohen hapat e menjëhershëm me udhëheqjen e Policisë së Kosovës dhe organet e tjera të rendit dhe ligjit, me qëllim të garantimit të sigurisë publike në të gjithë territorin e komunës.
“Mbrojtja e jetës së qytetarëve tanë është prioriteti ynë kryesor institucional. Komuna e Gjilanit do të përdorë të gjitha kompetencat e saj për të bashkëpunuar me organet e sigurisë në menaxhimin dhe parandalimin e rasteve të tilla”, ka shkruar Hyseni.
