Të shtunën, zyrtarët e qytetit të Mariupolit, që gjendet në jug të Ukrainës, e akuzuan Rusinë se ka dërguar me forcë mijëra banorë lokalë në Rusi, gjatë javës së fundit.
Një zyrtar, Pyotr Andryuschenko, i ka thënë New York Times se midis 4,000 dhe 4,500 banorë janë dërguar në Taganrog, qytet në rajonin Rostov, që gjendet në kufirin juglindor të Ukrainës. Ai ka shtuar se ata janë dërguar në Rusi pa pasaporta.
Një ukrainas i ka thënë gazetës amerikane se ai ka qenë në kontakt me tri familje që janë zhvendosur me forcë.
“Tani rusët po shkojnë nëpër bodrume, dhe nëse ka ende banorë, po i dërgojnë me forcë në Taganrog”, tha Eduard Zarubin, një mjek që është larguar nga qyteti më herët gjatë kësaj jave, raporton REL.
Rusia nuk e ka folur publikisht për këtë çështje, por të premten, Ministria e Mbrojtjes pretendoi se mijëra ukrainas kanë shprehur dëshirën “të ikin në Rusi” dhe Qeveria po i ndihmon ata.
Në Mariupol aktualisht po zhvillohen luftime të ashpra ndërmjet forcave ukrainase dhe ruse. Ky qytet është granatuar vazhdimisht në dy javët e fundit dhe zyrtarët lokalë kanë thënë se 2,400 persona kanë vdekur.
Banorët e këtij qyteti nuk kanë energji, gaz dhe ujë, dhe rezervat ushqimore po iu harxhohen. Ukraina e ka akuzuar Rusinë se po ndalon konvojet me ndihmë humanitare që po nisen drejt këtij qyteti. / Gazeta Enigma.