1 vit punë, Kusari – Lila: Hera e parë që një Qeveri e luftoi krimin e organizuar

1 vit punë, Kusari – Lila: Hera e parë që një Qeveri e luftoi krimin e organizuar

Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari – Lila ka numëruar të arriturat e Qeverisë Kurti, pasi për këtë të fundit nesër bëhen një vitë prej se është në qeverisje.

Kusari – Lila para mediave tha se për herë të parë një Qeveri e ka luftuar krimin dhe korrupsionin, dhe sipas saj ka rikthyer edhe akvititetin ekonomik.

 “Nesër bëhet një vit që kur Qeveria Kurti e ka marr mandatin për të qeverisur. Ka qenë vit dinamik, vit i cili u karakterizua me efektet e pandemisë gjatë gjithë vitit. Një vit që ka shënuar një progres në aspektin e rritjes ekonomike. Vit i cili ka rikthyer aktivitetin ekonomik dhe ka hapur mundësi të reja për vendime, dhe mundësi të investimeve në vitin që jemi”.

“Qeveria është ballafaquar me një mori problemesh kronike të shumë viteve më herët, kjo është vërejtur edhe gjatë plotësimit dhe ndryshimit të bordeve të agjencive të ndryshime që kanë ardhur për votim në kuvend. Qeveria ka proceduar një numër rekord të projektligjeve gjatë një viti, janë 109 projektligje në aspektin e gjithëpërfshirjes”.

Ndër të tjera, Kusari-Lila përmendi edhe avancimin e barazisë gjinore. Ajo poashtu tha se ka pasur sukses edhe në rend dhe ligj.

“Një Qeveri që ka pasur në fokus të veçantë në avancimin e barazisë gjinore. Jemi siguruar që të ruajmë barazinë gjinore, qoftë edhe me 50/50 apo 40/60. Ka pasur sukses të jashtëzakonshëm në rend dhe ligj, gjegjësisht në zbulimin e grupeve kriminale. Hera e parë që një Qeveri e ka luftuar krimin e organizuar. Kemi parë aksione të vazhdueshme”, u shpreh Kusari-Lila.

Tutje, Kusari-Lila tha se nuk mund të kërkohen zgjidhje brenda vitit për problemet që janë krijuar brenda dekadave.

Ajo shton se do të bashkëpunojnë me opozitën dhe do të jenë të hapur ndaj kërkesave të qytetarëve.

“Është tepër me rëndësi të thuhet se ka filluar reforma e mirëfilltë edhe në sistemin ligjor. Hapat e parë që janë bërë për pasurinë e pajustifikuar, Vettingun. Kosova tashmë mund të thotë se ka qenë rast i veçantë për funksionimin e mirëfilltë të shtetit. Në një kohë të ndjeshme, Qeveria Kurti e ka treguar stabilitetin dhe përcaktimin e saj drejt vlerave të mirëfillta”.

“Mbesim të përkushtuar në tri vitet e ardhshme, të kemi bashkëpunim me opozitën dhe të jemi të hapur ndaj kërkesave dhe problemeve për qytetarët. S’mund të kërkohen zgjidhje brenda vitit për problemet e krijuara brenda dekadave”, tha ajo. /Gazeta Enigma/.

Related Articles