Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas vdekjes së ish-Sekretares së Shtetit të SHBA-së dhe mikes së madhe të shqiptarëve, Madeleine Albright, raporton Gazeta “Enigma”.
Kurti ka thënë se Albright ishte grua e shquar me moral të pakompromis dhe një mike e Kosovës deri në fund.
“Me pikëllim dëgjova për vdekjen e Madeleine Albright, një grua e shquar me moral të pakompromis për Shtetet e Bashkuara, një mike e Kosovës deri në fund dhe një partnere me të gjithë ata që ndoqën paqen, lirinë dhe demokracinë. Do të na mungosh, zonja sekretare”, ka shkruar ai.
Madeleine Albright, gruaja e parë sekretare e shtetit të SHBA-së dhe mike e madhe e shqiptarëve, e cila ndihmoi në drejtimin e politikës së jashtme perëndimore pas Luftës së Ftohtë, ka vdekur. Ajo ishte 84 vjeç.
Vdekja e saj u konfirmua në një email drejtuar stafit të Albright Stonebridge Group, një firmë strategjike globale e themeluar nga Albright.