Përfundon protesta e udhëhequr nga Lista Serbe në veri

Përfundon protesta e udhëhequr nga Lista Serbe në veri

Turma e qytetarëve serb të mbledhur për protestë në Mitrovicën Veriore është shpërndarë.

Tubimi në veri të Kosovës, ka përfunduar pak pas fjalimit të kreut të Listës Srpska, Goran Rakiq

Protesta ka nisur pas mosarritjes së një marrëveshje për t’u organizuar zgjedhjet nacionale të Serbisë, në Kosovë.

Mirëpo, Rakiq, në fjalimin e tij, tha se të gjithë të angazhuarit e komunitetit serbë në institucionet e Kosovës do ta pezullojnë punën e tyre, për shkak të suspendimit të kryetares e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Liljana Stevanoviq.

“I dërgoj një mesazh Albin Kurtit, Policisë së Kosovës se nuk do të na frikësoni. Nuk kërkojmë asgjë më shumë sesa që kanë shqiptarët në Kosovë. Duam paqe. Dua të theksoj se për herë të parë nuk kemi arritur një marrëveshje me presidentin Aleksandar Vuçiq për tu larguar nga institucionet e Kosovës. Edhe sot i kemi kërkuar të njëjtën gjë, por ai ka kërkuar që mos ta bëjmë. Dua të theksojë se të gjithë serbët që punojnë në institucionet e Kosovës duke përfshirë policinë do të pezullojnë punën deri në kthimin e Liljana Stevanoviq”, tha Rakiq.

Ai gjatë fjalimit ka lartësuar Vuçiqin duke e paraqitur si konstruktiv para botës duke thënë se ai i ka ndalur që të mos largohen nga institucionet e Kosovës. Sipas tij, “për herë të parë s’kemi mundur të arrijmë marrëveshje edhe pse vetëm atij i besojmë”.

“Propozimi ynë ishte që të dalim nga institucionet, por nuk arritëm marrëveshje edhe sot ishim në kontakt me të. Kurti po e shkel marrëveshjen”, përfundoi ministri Rakiq.

“Qytetarët kanë të drejtë të protestojnë, por edhe përgjegjësi nëse eskalon situata”

Ndërkohë, shtetet e Quint-it kanë shprehur shqetësim se në protestat e paralajmëruara sot nga qytetarët serbë në veri të Kosovës mund të ketë rrezik për përshkallëzim të dhunës.

Në një deklaratë të përbashkët, shefat e misionit të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian kanë bërë thirrje që protestat e sotme të jenë paqësore dhe të mos kalojnë në dhunë. 

Të paktën 10 autobusë me serb nga Serbia ju bashkuan protestës

Gjatë protestës u raportua se të paktën 10 autobusë me protestues nga Serbia arritë në Mitrovicën e Veriut për t’ju bashkuar protestës, raportoi Kossev.

Sipas këtij mediumi lokal autobusët me targa RKS, KM, CA dhe BG kanë arritur nga drejtimi i Zveçanit.

Edhe në këtë protestë morë pjesë punëtorët nga institucionet publike të Kosovës në Veri ndërkaq një numër i vogël i policëve ishte prezent.

Protestat e serbëve në Mitrovicë të Veriut dhe në Graçanicë janë organizuar për të kundërshtuar mosmbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë./Gazeta Enigma/

Related Articles