Pas protestës së serbëve të Kosovës, të mbajtur sot në Mitrovicë Veriore dhe Graçanicë, kryeministri i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti ka bërë apel që të ruhet qetësia.
Ai, nëpërmjet një videoje, të publikuar në Facebook, në gjuhën serbëve u është drejtuar qytetarëve serbë të Kosovës, duke thënë se suspendimi i gjyqatares serbe në veri, nuk është marrë nga ai.
Ai ka thënë se për suspendimin e Liliana Stefanoviq ka marrë vesh nga mediat.
Kurti ka kërkuar nga serbët e Kosovës që të mos i besojnë Beogradit, pasi që askush në institucionet beogradase, nuk brengoset për të drejtat dhe mirëqenien e tyre, por për përfitimet e veta elektorale.
Një arsye tjetër pse Beogradi do destabilizimin e Kosovës, ka thënë Kurti, mund të jetë për shkak të interesave luftëndjellëse të ndonjë fuqie të madhe, duke aluduar në Rusinë.
Deklarata e plotë e Kurtit:
Për qeverinë që udhëheq unë ndarja e pushteteve është parim demokratik. Në asnjë mënyrë nuk mund të ndikojmë në vendimet e Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Për suspendimin e gjyqatres Liliana Stevanoviq mora vesh nga mediat, e kjo megjithatë do të thotë se ajo nuk është larguar nga puna.
Unë angazhohem për drejtësi dhe të drejtën, por unë nuk jam kryesues i Këshillit Gjyqësor, e as anëtar. Ju falënderohem qytetarëve për mënyrën paqësore të të protestuarit. Në shoqërinë demokratike dhe shtetin ligjor njerëzit duhet të jenë të lirë të shprehin publikisht mendimet dhe qëndrimet e tyre.
Por, më duhet të them, do të ishte më e besueshme po që se do të protestonim, p.sh për drejtësinë sociale, zhvillimin më të shpejtë dhe luftën kundër krimit dhe korrupsionit të organizuar. Ju lutem që të mos ndikoheni nga regjimi autoritar në Beograd.
Atyre nuk u interesojnë të drejtat dhe përfitimi i serbëve në Kosovë. Ata përpiqen ta destabilizojnë Kosovën për qëllimet e tyre zgjedhore e ndoshta edhe për interesat luftëndjellëse të ndonjë fuqie të madhe.
Prandaj, qytetarë të dashur, ju ftoj që ta ruani qetësinë dhe të besoni më shumë te Qeveria e Kosovës. Rritja ekonomike, lufta kundër korrupsionit, rritja e eksporteve, të ardhurat nga tatimet dhe doganat, rritja e investimeve të huaja dhe direkte dhe e buxhetit të shtetit na japin shpresë neve që jetojmë këtu.
Ne jemi të përkushtuar për avancimin e të drejtave dhe mirëqenies së të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa marrë parasysh përkatësinë etnike apo fetare. Dyert tona janë të hapura.
Ndryshe, në Mitrovicën Veriore dhe në Graçanicë këtë të premte serbët kanë protestuar pasi kryeministri i Kosovës Albin Kurti ua ka ndaluar të votojnë në Kosovë për zgjedhjet serbe të tre prillit, derisa presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka dalë me një mesazh, siç e ka quajtur, “urgjent” për t’i thënë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se Marrëveshja e Brukselit nuk ekziston më.
“Të nderuar qytetarë, me urdhër të Albin Kurtit është ndërruar kryetarja e Gjykatës Themelore, gjyqtarja serbe Ljiljana Stevanoviç”, potencoi të enjten Vuçiq.
“Albin Kurti vendosi të sulmojë serbët, ai e shkeli Marrëveshjen e Brukselit dhe, sipas vullnetit të tij dhe atyre që e mbrojnë, Marrëveshja e Brukselit nuk ekziston më”.
Ministri për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës, Goran Rakiq, theksoi se të gjithë të angazhuarit e komunitetit serbë në institucionet e Kosovës do ta pezullojnë punën e tyre, për shkak të suspendimit të kryetares e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Liljana Stevanoviq.
“I dërgoj një mesazh Albin Kurtit, Policisë së Kosovës se nuk do të na frikësoni. Nuk kërkojmë asgjë më shumë sesa që kanë shqiptarët në Kosovë”, tha Rakiq.
“Duam paqe. Dua të theksoj se për herë të parë nuk kemi arritur një marrëveshje me presidentin Aleksandër Vuçiq për tu larguar nga institucionet e Kosovës”.
“Edhe sot i kemi kërkuar të njëjtën gjë, por ai ka kërkuar që mos ta bëjmë. Dua të theksojë se të gjithë serbët që punojnë në institucionet e Kosovës duke”.
“Qytetarët kanë të drejtë të protestojnë, por edhe përgjegjësi nëse eskalon situata”
Ndërkohë, shtetet e Quint-it kanë shprehur shqetësim se në protestat e paralajmëruara sot nga qytetarët serbë në veri të Kosovës mund të ketë rrezik për përshkallëzim të dhunës.
Në një deklaratë të përbashkët, shefat e misionit të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian kanë bërë thirrje që protestat e sotme të jenë paqësore dhe të mos kalojnë në dhunë.
Të paktën 10 autobusë me serb nga Serbia ju bashkuan protestës
Gjatë protestës raportohet se të paktën 10 autobusë me protestues nga Serbia arritur në Mitrovicën e Veriut për t’ju bashkuar protestës, raportoi Kossev.
Sipas këtij mediumi lokal autobusët me targa RKS, KM, CA dhe BG kanë arritur nga drejtimi i Zveçanit.
Edhe në këtë protestë morë pjesë punëtorët nga institucionet publike të Kosovës në Veri ndërkaq një numër i vogël i policëve ishte prezent.
Protestat e serbëve në Mitrovicë të Veriut dhe në Graçanicë janë organizuar për të kundërshtuar mosmbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë. /Gazeta Enigma/