Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i ka bërë thirrje qeverive perëndimore që ta furnizojnë Ukrainën me aeroplanë, tanke dhe sisteme raketore mbrojtëse, raporton BBC.
Në një video-adresim në orët e vonshme të së shtunës, ai ka thënë se armatimi i rëndë që do ta mbronte lirinë në Evropë po mbahet nëpër depo dhe e ka mbuluar pluhuri.
Zelensky është ankuar, duke thënë se aeroplanët ushtarakë rusë nuk mund të rrëzohen me automatikë.
“Çfarë po bën NATO? A po udhëhiqet nga Rusia? Çfarë po pret? Kanë kaluar 31 ditë. Jemi duke kërkuar vetëm 1 për qind të asaj që ka NATO, asgjë më tepër”, ka thënë Zelensky.
Kryeministri i Sllovakisë, Eduard Heger, ka konfirmuar për BBC-në si shteti i tij është i gatshëm ta dërgojë në Ukrainë arsenalin e mbrojtjes ajrore S-300, të prodhuara në Bashkimin Sovjetik të dikurshëm. Ka thënë se do ta dërgojë nëse mund t’i ofrohen Sllovakisë zëvendësime. / Gazeta Enigma