Abaz Beqiraj nga Deçani ishte duke u kthyer nga vizita dymujore në Gjermani, tek djali i tij, përmes transportit me autobus.
Por, ndryshe nga rruga e parë ku nuk pati problem, kësaj here u ndal e u arrestua nga policia serbe, kur po e kalonte kufirin nga Hungaria.
Melihate Beqiraj, vajza e 66-vjeçarit, Abaz Beqiraj, i cili u arresua dje në kufirin Hungari – Serbi, ka thënë për Klankosova.tv se nuk di asgjë se çfarë është duke ndodhur me babanë e saj.
Ajo ka theksuar se ishin në kontakt me të sa ishte në paraburgim deri në ora 12:00 të ditës, dhe që nga ajo kohë ata nuk patën më mundësi ta thërrasin atë në telefonin që kishte.
“Deri në atë kohë kemi bisedu me të ka thënë mirë jam dhe se e ka telefonin afër dhe se po mundet me folë. Ai ma tha se institucionet atje nuk janë duke i thënë asgjë”.
“Nuk e dimë ku është për momentin, ashtu na kanë thënë edhe nga zyra ndërlidhëse e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës se edhe ata janë duke pritur përgjigje për detajet rreth arrestimit të babasë sim”, ka thënë Beqiraj në një përgjigje për Klankosova.tv.
Familja po kërkon që 66 vjeçari të lirohet sa më shpejtë, pasi nuk gëzon shëndet aq të mirë.