Osmani: Asgjë s’do ta ndalë Kosovën në synimet për t’iu bashkuar NATO-s

Osmani: Asgjë s’do ta ndalë Kosovën në synimet për t’iu bashkuar NATO-s

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për “Al Jazeeran” të hënën ka thënë se asgjë nuk do t’i ndalë synimet e Kosovës për t’iu bashkuar NATO-s.

Osmani ka thënë se Kosova do të ishte vlerë shtesë për NATO-n, pasi anëtarësimi i saj do të sillte paqe, stabilitet e siguri për gjithë rajonin.

“Si presidente e shtetit më pro-Nato dhe më pro-Evropian në botë, më duhet të them se Rusia absolutisht do të vazhdojë me qasje të njëjtë të kërcënimit ndaj shteteve që zgjedhin rrugën euroatlantike, duke kërcënuar se do të veprojë si në Ukrainë. Para disa ditëve ambasadori i Rusisë në Bosnjë tha se nëse Bosnja i bashkohet NATO-s atë e pret një gjë e ngjashme si Ukrainën” ka thënë Osmani.

Tutje ajo ka shtuar se “është një kërcënim direkt jo vetëm për Bosnjën por gjithë shtetet në rajon apo mëtej, që kanë synim t’i bashkohen aleancës. Por, kjo nuk duhet të na ndalë që t’i bashkohemi NATO-s. NATO nuk është thjeshtë makinë ushtarake, por është sistem i bazuar në vlera. Duam t’i bashkohemi për shkak të vlerave që paraqet, por edhe për shkak të sigurisë që do t’i sillte rajonit”.

Osmani ka theksuar se anëtarësimi i Shqipërisë, Malit të Zi e Maqedonisë së Veriut në NATO ka sjellë më tepër siguri për rajonin.

“Sollën më tepër paqe e stabilitet anëtarësimet. Shtimi i Kosovës e Bosnjës në këtë familje do të sillte ditë të mira për gjithë rajonin. Ditë më të mira për gjithë kontinentin e Evropës. E kuptoj që katër shtetet anëtare të NATO-s që nuk e njohin Kosovën mund të kenë hezitime, porse duhet ta shohin këtë nga pikëpamja e sigurisë. Nëse e shohin në këtë mënyrë, e kuptojnë pse është me rëndësi që shtetet e Ballkanit Perëndimor t’i bashkohen NATO-s”, tha Osmani.

Osmani ka thënë se fillimisht Kosova synon t’i bashkohet programit të NATO-s, “Partneriteti për Paqe”.

Sa i përket krahasimit që Rusia po e bën në mes të pushtimit të Ukrainës dhe bombardimeve të NATO-s në ish-Jugosllavi në vitin 1999, Osmani ka thënë se nuk ka asnjë ngjashmëri./Gazeta Enigma/

Related Articles