Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni gjatë ditës së djeshme ka shkarkuar një komision vlerësues që kishte të bënte me vlerësimin e projekt propozimeve për mbështetje financiare për OJQ-të nga Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Shkarkimi erdhi pas raportimeve për një keqmenaxhim të qëllimshëm mes anëtarëve të Komisionit dhe organizatave përfituese gjatë ndarjes së subvencioneve për kulturë.
Për këtë, anëtarët e këtij Komisionit Vlerësues kanë mbajtur sot një konferencë për media.
Anëtari i këtij komisioni, Burim Demiri tha se si Komision kanë respektuar rregulloret për vlerësimin e organizatave dhe kanë bërë vlerësim profesional
“Si përfaqësues i Komisionit Vlerësues i Thirrjes publike për financim të OJQ në kuadër të Drejtorisë për Kulturë në Gjilan konstatojmë se ne si komision kemi respektuar rregulloren e prezantuar nga Drejtoria për Kulturë Rini dhe Sport, ku kemi vlerësuar në mënyrë profesionale dhe të paanshme të gjitha aplikacionet”, tha ai.
Ai shtoi se asnjë nga anëtarët e Komisionit nuk ka bërë shkelje ligjore.
“Konstatojmë fuqishëm se asnjëri nga anëtarët e Komisionit nuk ka bërë shkelje ligjore, paraprakisht komisioni bënë vetëm vlerësimin dhe i njëjti nuk ndanë mjete monetare. Sa i përket aludimit për konflikt të interesit, Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport ka paraparë konfliktet eventuale andaj është propozuar anëtari rezervë si në rastin tonë”, tha Demiri.
Anëtari i Komisionit tha se për të vërtetuar këtë ftojnë edhe Auditorin që ta shikojnë dokumentacionin në komunë.
“Rekomandojmë që vlerësimi të konsiderohet i rregullt, ku do të publikojmë të gjitha rezultatet e të gjithë aplikantëve në rrjetet sociale për hir të disa organizatave”, tha ai më tej.
Thirrja publike për mbështetjen financiare të OJQ-ve nga Komuna e Gjilanit ishte hapur më 11 shkurt të këtij viti.
Kurse, Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni ka emëruar komisionin vlerësues më 7 mars me këtë përbërje: Armend Misini, Enkelejda Arifi, Saranda Rashiti, Fisnik Isufi, Burim Demiri dhe Genc Mustafa.
Lista preliminare e organizatave përfituese më pas është bërë publike më 23 mars 2022.